BRITANI E MADHE– Në Britani e Madhe janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të përcaktojnë se cila force politike do të udhëheqë negociatat për daljen e këtij vendi nga Bashkimi Evropian. Votuesit rreth 46.9 milionë të regjistruar do të zgjedhin 650 deputetë.

Partia Konservatore e kryeministres Theresa May pritet të rrisë numrin e deputeteve në Parlamentin britanik. Sondazhet më 4 qershor e kanë nxjerrë atë në epërsi me rreth 43 përqind të votave, përballë Laburistëve me 36 deri në 37 përqind.

Theresa May ka thënë se i duhet të rrisë fuqinë e Partisë Konservatore, me qëllim që të forcojë pozicionin e saj në negociatat për Brexit.

Dy partitë tjera kryesore në këto zgjedhje – Partia Kombëtare Skoceze e udhëhequr nga Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, dhe Partia Liberal-Demokrate e udhëhequr nga Tim Farron, i kundërshtojnë planet për dalje nga BE-ja dhe nga tregu i përbashkët evropian. Por, sondazhet e opinionit në fillim të qershorit kanë treguar se ato nuk do të marrin më shumë se 10 përqind të votave. Një tjetër çështje që ka dominuar fushatën zgjedhore, ka qenë siguria kombëtare.

Britania është goditur nga tre sulme terroriste në muajt e kaluar. Theresa May shihet si lidere më e besueshme në luftën kundër terrorizmit, pasi, në të njëjtën kohë, dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me aleatët e NATO-s.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: