NGA: FATMIRA NIKOLLI
Nuk ka një vit kur ndodhin ngjarjet. Ato ndodhin prej vitesh përditë. Filmi i vë ngjarjet në kohën tonë, ku pothuaj asgjë nuk bën më habi. Diku të kujton të njëjtat nota ironie therëse me Graham Green te “Njeriu ynë në Havanë”, por me gjasë, bota është më e vogël se ç’ngjan, në çuditë e pamata kaq të përafërta që ndodhin në qoshet e largëta të saj. E nëse Green përqesh Shërbimet Inteligjente në Kubë, pjesë e të cilave kish qenë më herët, përse nuk mundet një artist a disa syresh, të përqeshin së bashku diplomacinë?! A nuk na kujton ky nderim ndaj të huajve, habinë që kishin indigjenët në fillim me pasqyrën – që duke qenë për ta e panjohur, u ngjante ‘magji’ a fuqi mbinatyrore?!
Ata vijnë si njerëz të thjeshtë në Kopshtin shkëmbor të Europës Juglindore dhe së shpejti bëhen “ministra”. Me sy e veshë drejt tyre, shohim se si ngrihen në piedestale dhe mbajnë në duar “jetët” tona, a në mos aq shumë, humorin tonë të përditshëm.

fotyo

Filmi “Ndërkombëtarët” me regji të Pluton Vasit dhe skenar të Ylljet Aliçkës, është bazuar mbi “Rrëfenja me ndërkombëtarë” të këtij të fundit, ku intriga e grotesku përcjellin hijet e mëdha që lëshojnë njerëzit e Perëndimit në Lindje. Xhirimet kanë përfunduar e tani kur filmi është në postproduksion, Vasi tregon se në të interpretojnë aktorët: Eni Shehu, Kastriot Çaushi, Hervin Çuli, Rovena Lule me Ardian Cergën, Alert Çeloaliaj, Alfred Trebicka, Lul Zeqja, etj.

Foto 3

SERVILIZMI E GLORIFIKIMI SI SËMUNDJE
Kur e pyet Vasin se pse zgjodhi Aliçkën dhe ndërkombëtarët e tij, ai në fillim thotë se ne në jetë duhet të bëjmë diferencën mes profesionit dhe njeriut. “Mua më bën përshtypje ngarkesa që i japin njerëzit vetes përtej profesionit të tyre. I japin vetes një ngarkesë, më tepër se duhet. Jo vetëm në rastin e ndërkombëtarëve, të cilët në vendin e tyre bëjnë një jetë shumë të thjeshtë, ndërsa këtu i japin vetes përmasa glorifikuese, fryhen sikur i dinë të gjitha dhe gati-gati shkojnë deri atje sa thonë se kemi në dorë fatin tuaj. Ky është një element a një sindromë që e kanë jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe shqiptarët”. Për Vasin, është sëmundje dëshira e njerëzve për t’i dhënë rëndësi vetes. “Ka një lloj problemi në mendjen e tyre – sa nuk arrijnë të dinë se çfarë është profesioni dhe çfarë është jeta e përditshme. Kjo ka brenda vetes një fryrje, çka përbën një element shumë të rëndësishëm për një komedi të zezë. Përbën një element që tërheq vëmendjen, të bën të kthesh kokën. Veç kësaj, për mua marrëdhënia e shqiptarëve me ndërkombëtarët ka qenë gjithnjë një histori e kahershme e që vijon edhe sot që habit”.

foto 2

Në këtë pikë, Vasi shton se për ne, po është i huaj është automatikisht i vlerësuar, a thua se në gjenet e tjetrit ka diçka më shumë se në gjenet tona. Ky mbivlerësim i menjëhershëm veç prej etnisë së tjetrit, “ndodh jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, por edhe në politikë. Servilizmi i politikës sonë karshi ndërkombëtarëve është i tepërt. Politikanët tanimë servilizmin nuk e bëjnë më haptas, por fshehur, futen nëpër pakte banale”, shton regjisori. E kjo marrëdhënie e ka detyruar Vasin e ai beson se na detyron edhe ne të tjerëve si spektatorë e ta kthejmë kokën, në mos hiçgjë tjetër, për të bërë habi.

Në fillim, kur Pluton Vasi i propozoi Ylljet Aliçkës, skenarin për filmin, të dy, skenaristi e regjisori panë njëri-tjetrin në sy: a do ketë të njëjtat probleme si botimi i librit, edhe filmi? Kujtojmë se botimi i Aliçkës pat shkaktuar “incidente” prej se shkrimtari kish dalë mbi diplomatin, dukje nxjerrë diku-diku sekrete të asaj gjuhës së ftohtë e të koduar të “valixheve diplomatike”.

E SHKRUAR NË EKRAN
Fjala e shkruar tanimë në ekran, ka pësuar ndryshime në formë më shumë se sa në përmbajtje. “Nëse në libër personazhi kish probleme se kish shkruar një libër, në film ai ka probleme se ka vënë në skenë një shfaqje. Janë futur edhe disa retrospektiva që nuk ndryshojnë thelbin”, thotë Vasi.
Xhirimet janë bërë në Durrës dhe në Tiranë, ka skena që janë xhiruar në Teatrin Kombëtar. Dominon interieri kryesisht dhe godinat e mëdha në raport me përmasat e vogla të njeriut – edhe pse, qëllimi i regjisorit ka qenë të japë një farë klaustrofobie si edhe marrëdhënien e njeriut me hapësirën.
“Godina e zgjedhur është e madhe që të tregojë se sido të jetë, njeriu është minimalist para asaj që merr përsipër të bëjë. Ajo që ka rëndësi për mua e që ua them shpesh aktorëve është kjo: nuk ka rol të madh e të vogël, personazh të mirë a të keq – rolet e personazhet ndahen në role që e arrijnë qëllimin dhe në role që nuk e arrijnë qëllimin. Një personazh mund të ketë vetëm dy batuta dhe e ka qëllimin të realizuar, e kjo ndihmon në bashkërendimin mes tërë komponentëve që janë në film, aktorë, piktorë, drejtorë fotografie, ndriçimi e të gjitha të tjerat. Unë besoj se ia kam arritur qëllimit, sepse kam pasur bashkëpunim të mirë”.

Për regjisorin, thelbi i asaj që ka sjellë Ylljeti në këtë pjesë është marrëdhënia mes njerëzve. “Këta njerëz marrin përsipër dhe bëjnë ato veprime që bëjnë, duke sjellë para nesh një komedi të zezë. Unë i shkoj personazhit të Ylljetit nga pas dhe e sjell në 3D, të gjallë. Pasurimi i rolit me detaje e elemente është detyrë e imja”. Sa u takon ndërkombëtarëve, Vasi shton se, “ne kur shohim këta themi, si është e mundur. Një ndër vlerat që ka ky si skenar është se sjell karakteret dhe ngre pyetjen: si është e mundur që këta njerëz kur vijnë këtu e bëjnë këtë gjë? Në vendet e tyre janë njerëz të thjeshtë fare. Këtu bëhen bombastikë, amplifikojnë çdo situatë, e bëjnë sa më të keqe, na thonë se ky vend nuk bëhet, se ju kemi si beben tonë, pra marrin role ministrash me ndihmën politikës shqiptare”.

EROS PARA SË GJITHASH
Përtej linjës së parë, filmi ka edhe një të dytë; një histori dashurie.
“Si kontrapunkt është një linjë dashurie mes një vajze dhe personazhit kryesor. Kam insistuar tek kjo linjë, sepse ne jemi njerëz në fund të fundit. Ne duam njëri-tjetrin e po të mos jetë dashuria, asgjë tjetër s’ka vlerë. Zyrtarizmat, formalizmat e të gjitha këto janë pa vlerë pa anën njerëzore. Kemi dashurinë si kontrapunkt. E kjo linjë kundërshtohet nga Zhili, shefi i administratës (Hervin Çuli) që e sulmon këtë dashuri”. A është tejkaluar tashmë erosi si tabu? Për Vasin po. “Ka skena erotike po jo ekstreme. Është një marrëdhënie e pastër e kulluar. Mendoj se me këtë film e tejkalojmë kompleksin mbi erotizmin në film. Them se në këtë film, do jetë kapërcyer ‘kompleksi’ mbi marrëdhënien njerëzore”.
Filmi zgjat 90 minuta dhe pritet të jetë në kinema nga fundi i marsit ose fillimi i prillit.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb