ITALI – Ermal Meta doli i treti në festivalin e muzikës italiane Sanremo. Por kantautori shqiptar mori edhe një nga çmimet më prestigjioze të këtij festivali, atë të kritikës, “Mia Martini”.

Në një intervistë për mediat italiane 35-vjeçari shqiptar tregoi si lindi kënga e tij, “Vietato morire” (E ndaluar të vdesësh). “U frymëzova nga një histori e vërtetë dhe fjalët e kësaj kënge i shkrova për të dhënë një mesazh, që mos t’i bindesh e mos t’i nënshtrohesh kurrë çfarëdolloj dhune” – ka thënë Ermali.

Këngën ia dedikoj nënës sime, gruaja që më mësoi mos t’i bindem asnjëherë dhunës”- përfundoi këngëtari shqiptar. 35-vjeçari Ermal Meta fitoi këtë vit edhe çmimin e parë për interpretimin e këngëve të vjetra italiane. Ai interpretoi këngën “Amara terra mia” të Domeniko Modunjos.

Ermal Meta ka nisur karrierën e tij me grupin Ameba e më pas me La Fame di Camilla, me të cilin qe paraqitur në Sanremo në kategorinë e të rinjve në vitin 2006, e më pas në 2010. Prej disa vitesh ai po paraqitet si solist, por është shumë i vlerësuar për kompozimet.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: