TIRANE- Është e vështirë të kontaktosh Xhani De Biazin në telefon pas vendimit të KAS­it. Telefoni del vazhdimisht i zënë dhe, kur arrin ta mbërrish, dëgjohet nga ana tjetër një zë gati që nuk është i tiji: “Mirëdita! Jemi të lumtur…”, është batuta e trajnerit të Shqipërisë, shkruan “Panorama Sport”.

Ai pohon se një rol të rëndësishëm në marrjen e tri pikëve ishte raportimi i fakteve qysh në zanafillë. “U treguam gjyqtarëve se çfarë ndodhi qysh pa nisur ndeshja dhe deri sa u larguam nga Beogradi. Mendoj se kjo e bëri diferencën. Por e merituam. Drejtësia u vu në vend”, thotë italiani.

Z.De Biazi, a e prisnit fitoren e Shqipërisë në KAS?
Po, patjetër që po. Gjërat ishin sa të komplikuara, por aq edhe të thjeshta. Shkuam të luanim futboll dhe, papritmas, fusha invadohet nga tifozët ultras, dhunohen lojtarët miq dhe vihet në rrezik jeta e futbollistëve. E gjitha kjo ndodhi pa pasur asnjë tifoz shqiptar në stadium. Kush shkel rregullat,
dënohet.

Po pse u desh të shkonim deri në KAS?
Shkoi puna deri këtu, sepse UEFA na dha një shuplakë të merituar. Na ndëshkoi edhe ne njësoj me Serbinë, ndërkohë që organizatorët e ndeshjes ishin serbët dhe jo ne. Ne nuk dhunuam askënd dhe në fushë kemi qenë korrektë dhe dinjitozë. Ndaj mendoj se sot (dje) drejtësia është vënë në vend. Kjo është një fitore e madhe për Shqipërinë, por edhe për futbollin në tërësi. Nuk mund të kapërdihej një vendim si ai që mori UEFA.

Cilat janë, sipas jush, detajet që bënë diferencën në KAS dhe që sollën më pas edhe fitoren e Shqipërisë?
Mendoj se detaji kryesor ishte paraqitja e mirë e të gjitha fakteve. E kam fjalën për gjithçka ndodhi, qoftë edhe për detaje që, në pamje të parë, duken të parëndësishme.

A mund të jeni pak më specifik?
Po, me aq sa mundem po. Duhet të keni parasysh se ky është perceptimi im pasi pashë punën e avokatëve tanë.

Që do të thotë?
Që do të thotë se jurisë iu bë me dije se çfarë ndodhi një orë para se të niste ndeshja. Se çfarë tensioni dhe provokimesh raciste kishte shumë kohë para se të fillonte ndeshja. Iu bë me dije se nuk kishim asnjë tifoz tonin në stadium. Iu bë me dije se si u dhunuan lojtarët në fushë dhe jashtë saj. Pra, pati një raportim të detajuar për gjithë racizmin dhe dhunën që shfaqën serbët në atë ndeshje. Ishte një punë e madhe dhe shumë voluminoze e bërë nga avokatët tanë dhe, për këtë, i komplimentoj sepse ia dolëm mbanë.
Po raportimet tuaja dhe të lojtarëve sa peshë mund të kenë pasur?
Po, kanë pasur rëndësinë e tyre edhe ato. Ju i thatë jurisë se “nëse luani del nga kafazi, asnjë nuk kthehet më në kopshtin zoologjik…”.

A mendoni se ka influencuar sadopak edhe ky paralelizëm?
Po, pse jo. Ua thjeshtova gjërat që të kuptonin se përse ne nuk mund të vazhdonim më lojën. Por duhet ta pranoj, ajo batutë ishte gjetje, sepse kam pasur ngacmime të vazhdueshme edhe më pas… (qesh). Të kthehemi te vendimi.

Cilët ishin lojtarët e parë që ju telefonuan pas publikimit të vendimit?
Nuk më ka telefonuar askush, por të parët që më uruan ishin Ansi Agolli dhe Ervin Bulku. Më pas edhe shumë miq italianë dhe shqiptarë.
Avokati Antonio Rigoci që përfaqësoi Shqipërinë në këtë proces, ishte një sugjerim i juaji?
Jo, jo. Ai është italian, por këtë herë nuk kisha lidhje unë. Negociatat me të i ka bërë që në fillim FSHFja. Edhe ajo ka një meritë të madhe për këtë fitore, sepse punoi me seriozitet dhe me durim deri në fund.
A mund të thuhet se tani jemi shumë pranë kualifikimit?
Jemi më pranë nga sa ishim, por duhet ende shumë punë. Mendoj se “play off”­i është tashmë kapitull i mbyllur, por duhet të bëjmë kujdes.
Kujdes për çfarë?
Shikoni, kemi edhe katër ndeshje dhe janë 12 pikë në lojë. Futbolli nuk është matematikë që fiton gjithnjë më i forti, më i miri apo ai që ka më shumë fat. Duhen shumë komponentë. Ne do të luftojmë me shpirt për kualifikimin dhe unë nuk jam nga ata që e mohoj se shanset janë rritur. Por, për ta bërë këtë, duhet të luajmë në fushë dhe jo të flasim në ajër. Jemi deri këtu falë punës, përulësisë dhe sakrificës. Nuk jemi këtu vetëm se kemi dashur. Për të realizuar një objektiv duhet të jesh i ndërgjegjshëm te forca që ke. Ne jemi të vetëdijshëm për ekipin, por e kaluara na mëson të fluturojmë ulët dhe të mos e teprojmë me euforinë. Unë personalisht besoj te kualifikimi, por do të na duhet shumë punë. Vërtet shumë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: