TIRANE – Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla ka vlerësuar kombëtaren shqiptare të volejbollit për vajza pas marrjes së Medaljes së Bronztë në Ligën e Europës.

Ajo ftoi skuadrën më zyrën e saj për t’i uruar për suksesin e merituar në Ligën e Evropës. Gjatë takimit të zhvilluar me drejtuesit e skuadrës, lojtarët dhe stafin teknik, të cilët merituan medaljen e bronzit, ministrja Nikolla deklaroi se ndihet krenar me këtë fitore në sportin e volejbollit dhe u premtoi më shumë mbështetje në mënyrë që të shtohen trofetë që meritoni nga mundi juaj, duke realizuar kështu maksimalisht objektivat dhe ngritur në një tjetër nivel këtë sport tradite të Shqipërisë.

“Unë jam shumë e lumtur për shumë e shumë arsye, një herë së pari patjetër sa herë që sporti shqiptar bën përpara çdo qytetar I zakonshëm ndihet krenar jo më unë që kam fatin të jem ministër edhe e Sportit.  Jam krenare se këta dy djem në krye të federatës por edhe trajnerët tuaj por edhe ju, ja dolët të ktheni volejbollin për femra në rrugën e traditës, në rrugën e suksesit dhe fitoreve. Kjo është një gjë shumë e madhe edhe për në, kështu që edhe në emrin tim doja t’u thoja që keni bërë të mundur ta kthejmë kokën fal arritjeve tuaja në sportin e volejbollit për të mundësuar edhe më shumë mbështetje, sepse e keni merituar me djersën, me talentin, me duartrokitjet edhe me këtë trofe që keni marrë në këtë garë. Kështu që ju falënderoj shumë nga zemra dhe padyshim do të bëjmë edhe më shumë për t’ju mundësuar stërvitjen dhe mbështetjen, që rezultatet të vijnë duke u rritur dhe ju të realizoni objektivat.”- theksoi Nikolla

Ekipi i dhuroi ministres së Arsimit një top volejbolli me emrat dhe numrat e fanellave të vajzave të kombëtares, të cilat arritën të siguronin medaljen e bronzit duke u renditur të tretat në Divizionin e Argjendtë të Ligës së Evropës.

(e.f/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: