TIRANË- Prej kohësh ajo luftonte për të jetuar. Shumëkujt mund t’i duket sentimentale dhe ndoshta pak poetike por për ata që e dinë çdo të thotë kimioterapi e dinë mirë kuptimin e luftës për të jetuar. Hajrie Rondo u shua sot në moshën 66-vjeçare pak muaj pasi iu nënshtrua edhe një operacioni në kokë për shkak të sëmundjes së kancerit por ajo asnjëherë nuk u dorëzua.

Edhe nën terapi ajo u ngjit në skenë për t’i lënë publikut një mesazh të fortë, që paska qenë i fundit.

“Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur me dhëmbë”, ishin fjalët e fundit të Hajrie Rondos për publikun.

Ajo u vlerësua nga kreu i bashkisë së Tiranës me titullin “Simboli i Qytetit”, dhe nga aktiviteti i organizuar me këtë rast foli edhe për luftën e saj duke i bërë një apel publikut shqiptar.

Aktorja mori çmimin ‘Simbol i Qytetit’ nga Erion Veliaj ndërsa rrëfeu mes dhimbjes e forcës luftën me sëmundjen e mundimshme. “I thashë sëmundjes ik tutje se kam pak punë”, u shpreh aktorja.

Në tetor të vitit të kaluar  Hajrie Rondo u rikthye në skenën e teatrit, me dramën shqipe “Tre Dhëndurët”. Ajo tha se edhe gjatë premierës së shfaqjes “Tre Dhëndurët” ishte me kimioterapi.

“Unë jam në fazën e mjekimit, me kimioterapi. Kam bërë ndërhyrje kirurgjikale të zorrës së stomakut. Kjo më dobësoi dhe nuk e mora dot veten, por luftoj, luftoj aq sa unë kam në dorë, sa mund të bëj. E para është optimizmi, që është gjëja më e mirë, pastaj ushqyerja, këshillat me mjeken. Të gjithë mjekët më thonë: shikoje jetën me ngjyra të bukura”.

“Kur më bënë ofertën, zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, isha në dilemë: Do rri në shtëpi të mbyllem e të bashkëbisedoj me sëmundjen apo t’i them… def, ik tutje se kam pak punë.  Zgjodha këtë të dytën dhe ia dola.
Me këtë rol le të kontribuoj pak, meqë është edhe muaji kundër kancerit të gjirit  për t’iu thënë grave shqiptare të bëhen të forta. Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë”, thotë aktorja e madhe ndërsa ka recituar edhe disa vargje të mrekullueshme si një mesazh për jetën. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb