Menjëherë pas mbylljes së kampionatit, Flamurtari po shkon drejt “shkrirjes”, ndërsa të huajt “marrin valixhet”. Viktor Xhufo është lojtari i parë që largohet. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e klubit nuk kanë preferuar të rinovojnë me brazilianin.

Xhufo duket se ka zhgënjyer me paraqitjen e tij dhe kjo ka bërë që lojtari të largohet. Mësohet se drejtuesit ia kanë komunikuar lojtarit vendimin që kanë marrë. “Të përfundon kontrata. Nuk je më në planet tona. Në fund të muajit je i lirë. Shiko alternativa të tjera. Të urojmë suksese”, kanë qenë fjalët në drejtim të futbollistit. Por largimi i Xhufos jep sinjale që edhe Danilo Alvesh mund të mos rikthehet më në Vlorë. Sulmuesi ka vendosur si kusht në verën e kaluar që kthehej në Vlorë nëse me të vinte dhe Xhufo për shkak se e kishte shokë. Drejtuesit ia plotësuan dëshirën. Por me largimin e Alveshit para kohe, klubi largoi edhe Xhufon, çka mund të jetë një sinjal për moskthimin e tij më në skuadër.

TË RREZIKUARIT
Largimi i Viktor Xhufos nuk do të jetë i vetmi. Janë disa lojtarë në listën e zezë të vlonjatëve, të cilët duket se nuk kanë bindur gjatë sezonit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kapiteni Tomislav Bushiç është drejt largimit për shkak se në ndeshjet e fundit të sezonit ka çeduar. Ditmar Bicaj dhe Franc Veliu gjithashtu flitet se nuk janë në planet e së ardhmes, për shkak të paraqitjeve të tyre.

Burime pranë klubit kuqezi shprehen se edhe këta dy lojtarë nuk e kanë të sigurt rinovimin. Por, drejt largimit janë edhe Nedljekovic edhe Zuka, të cilët duket se kanë rezultuar një dështim i madh. Po ashtu nuk kanë bindur as Kamara, Sidibe dhe as Tunkara që erdhi me bujë nga Lacio. Këta tre të fundit kanë luajtur si të huazuar dhe nëse do të kishin bindur, mund të firmosnin me skuadrën për sezonin e ardhshëm.
Xhufo-3
RINOVIMET
Te Flamurtari ka edhe një listë të bardhë dhe bëhet fjalë për ata futbollistë që do të vazhdojnë të aktivizohen sezonin e ri me skuadrën dhe do t’i ofrohet kontrata e re. Bisedimet do të nisin nga porta, ku parashikohet rikonfirmimi i Adis Nurkoviç. Po ashtu drejtuesit kërkojnë që të mbajnë edhe Artim Pollozhanin, edhe pse ka një moshë relativisht të madhe.

Shkak i rinovimit është fryma në grup që shqiptari nga Maqedonia përcjell. Gazeta zbulon se në listën e rinovimeve janë edhe Musta, Siljanovski dhe Useini. Po ashtu nuk do të largohen as të rinjtë Deliaj, Sali, Maze, Hyseni, Rrapaj dhe Tushi. Këtyre lojtarëve vlonjatë të akademisë pritet që t’u besohet më shumë në sezonin e ri.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/flamurtari-nis-operacionin-fshesa-xhufo-i-larguari-i-pare/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb