TIRANE– Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj tregon të gjitha arsyet që e çuan në dorëheqje. I ftuar ekskluziv në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Beqiraj detajet nga biseda me presidentin e republikës Ilir Meta por edhe marrëdhëniet me kryeministrin Rama. Beqiraj bëri një radiografi të gjendjes së kësaj akademie por edhe mënyrës që sipas tij mund të dalë nga kjo gjendje.  Ja disa deklaratat më të rëndësishme që ai bëri për problemet e akademisë së shkencave.

Për dorëheqjen

Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend të jepja dorëheqjen. Isha zgjedhur brenda rregullave të përcaktuara dhe nuk kisha asnjë dilemë. Por presidenti i Republikës Ilir Meta, të cilin e kam patur student, pas dy muajsh nga zgjedhja ime si kryetar, më thirri në zyrë dhe më sugjeroi të dorëhiqesha. Unë u binda. Nuk mund të merrja unë koston e asgjësimit të Akademisë. Tani jam vërtetë i çliruar nga një peshë që nuk kishte pse ta kisha unë. Ishte një sugjerim i drejtë i zotit Meta edhe pse unë mund të vazhdoja punën normalisht sepse ligji nuk përcakton zhdekretim, as afat dhe në këtë mënyrë unë isha komod ligjërisht. Por kjo nuk do ishte zgjidhje sepse quhej konflikt. Sa i përket kryeministrit Rama unë nuk e kam takuar prej shumë vitesh. Me të kurrë nuk kam patur as mosmarrëveshje, e as kontakt. Madje në vitin 2008 kur ishte kryetar i Bashkisë më dha titullin nder i qytetit të Tiranës. Kam përshtypjen se ka marrë këshilla të gabuara. Ka një fakt interesant. Vetëm dy orë përpara se të takoja Metën, kryeministri Rama kishte dhënë aprovimin për dhënien e fondeve për akademinë e shkencave, pra kishte kthyer atë që kishte premtuar se nuk do ta jepte.

Për zgjedhjen si kryetar

Sa për atë që akuzuan se nënkryetari u zgjodh kryetar dhe kryetari u zgjodh nënkryetar, unë u them se këtë e përmban ligji dhe nuk është shkelje. Të gjithë votuan dhe derisa zgjedhje është me 50 plus 1 të votave atëherë këtu nuk ka asnjë gabim. Ishte një proces tepër rigoroz dhe pas asnjë lëshim.

Për lobingjet

E them me përgjegjësi, në akademinë e shkencave nuk ka dhe nuk ka patur lobingje as për zgjedhjen e  drejtueseve, e as për zgjedhjen e anëtarëve të akademisë. Të pakënaqurit nga jashtë janë ata që kanë humbur garën për të qenë anëtarë të akademisë së shkencave dhe ky është problem i tyre.

Për reformën

Aktualisht Akademia e Shkencave është pothuajse e shuar dhe nuk funksionon pavarësisht se edhe me këtë situatë aty është bërë një punë e madhe. Reforma në akademi do të thotë kthimi i instituteve pranë saj. Aktualisht nuk ekzistojnë instituti i Fizikës Bërthamore, Instituti I Biologjisë dhe ai i Gjeografisë si dhe Instituti i Informatikës. Por këto janë pasuri kombëtare që nëpërmjet tyre janë ndërtuar vepra madhore për vendin. Unë di që të gjithë qeveritë e kanë anashkaluar akademinë e shkencave në vend që ta përkrahnin dhe ti merrnin mendim asaj. Di që deri në vitin 1990 kryetari I Akademisë së Shkencave merrte pjesë deri në mbledhjet e qeverisë. Ndërsa pas vitit 1990 qeveritë nuk kanë dashur tia dinë fare për akademinë.

Për akademinë e përbashkët Shqipëri-Kosovë

Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kenë kurrë një akademi të përbashkët. Kjo do ishte nonsens. Janë dy shtete të pavarura dhe duhet të kenë edhe dy akademi përkatëse. Nuk mund të kemi dy shtete me një akademi. E rëndësishëm është bashkëpunimi që është në nivelet e duhura.

23602053_2084352648477528_1158061266_n

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: