Shkrimtari i madh Ismail Kadare flet për ndarjen nga jeta të patriarkut të letrave shqipe Dritëro Agolli, me të cilin kanë ecur në të njëjtën korsi, por edhe janë përplasur gjatë karrierës së tyre.

Sot, kur Agolli ndahet fizikisht nga kjo botë, Kadare e cilëson të pazëvendësueshëm atë dhe tregon se si e ka pritur lajmin e vdekjes. “Ishte ndër lajmet më tronditës. Jo vetëm për mua, por ehde për njerëzit e artit e gjithë shqiptarët. Dritëro Agolli do na mungojë të gjithëve”,- thotë ai.

Përplasjet
Të dy kanë qenë shokë gjimnazi në shkollën “Asim Zeneli”, të Gjirokastrës. Pastaj, kanë ecur njëkohësisht në rrugën e letërsisë duke bërë garë me njeri-tjetrin, por secili në krosinë e vet. Të dy kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe më pas kanë ndenjur bashkë për shumë kohë. Aq e vërtetë është kjo gjë, saqë Dritëro Agolli është njohur me bashkëshorten e tij, Sadije Agolli, pikërisht në dasmën e Kadaresë, ku ajo ishte e ftuara e Helena Kadaresë. Më tej, ata rrinin gjatë me njëri tjetrin, duke qenë shpesh të shoqëruar edhe me gratë e tyre.

Më vonë ishin edhe komshinj në një pallat, ku Agolli banonte një kat sipër Kadaresë, diku në kryqëzimin e rrugës së Dibrës. Por sherri i tyre ka nisur atëherë, kur sipas Kadaresë, Agolli u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Sipas Kadaresë këtu përfunduan bisedat disidente kundër diktaturës dhe Dritëro Agolli mori pamjen e një zyrtari institucional. Në fakt ata kanë qenë në një sherr të heshtur gjatë gjithë jetës. Zilia për njeri-tjetrin ka qenë kryesorja, sidomos për privilegjet që i krijonte sistemi, apo për problemet e Lidhjes së Shkrimtarëve, por këto reflektoheshin deri në pallatin ku banonin, ku Kadareja ishte një kat poshtë Agollit. Sukseset e njërit ishin padyshim vuajtje për tjetrin, ndërsa privilegjet që i bëheshin secilit prej tyre krijonin lodhje tek tjetri.

Ftohja e tyre ka nisur qysh me ngjitjen e Agollit në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj ka vazhduar me akuzat për librat, ku Kadare nuk pëlqente “Zhurma e erërave të dikurshme”, të Agollit, ndërsa Agolli urrente “Koncert në fund të Dimrit” të Kadaresë. Marrëdhëniet janë acaruar, edhe gjatë sherrit të Kadaresë me Janulla Rrapin, ku Agolli më vonë i botoi librin djalit të saj, por sidomos një pikë e veçantë ishte momenti i arratisjes së Kadaresë, kur Lidhja e Shkrimtarëve firmosi një dokument kundër tij, ndërsa Byroja Politike propozoi ndalimin e veprave të tij. Ndërsa pas vitit 90-të ata kanë qëndruar larg njeri-tjetrit, por debati kryesor që pushtoi mediat ishte “disidenca” e Kadaresë.

Agolli qëndroi përsëri në krosin e tij, duke u bërë një “baba” shpirtëror i së majtës, ndërsa Kadare, pasi ka refuzuar 3 herë postin presidencial ka kërkuar më kot certifikatën e disidentit. Ndërkaq, gara letrare midis tyre është ndërprerë kur të dy deklaruan tërheqjen nga krijimtaria e mirëfilltë. Herë pas here shpalleshin konkurse mediatike se cili ishte më i mirë dhe bëhen ende testime nëpërmjet klikimeve në internet. Por, nuk duhet harruar gjithsesi se ata kanë punuar nën diktaturë dhe para se të merrnin në dorë stilografin e veprës së re, kanë qenë të kërcënuar, të intimiduar dhe nën autocensurë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb