Nga: Klodiana Lala

Prokuroria e Tiranës kërkon të bllokojë me vendim gjykate pasaportën e izraelitit Yoram Frig, i cili që u ndalua në Rinas me një pajisje që dyshohet se kryente përgjimet. Gjykata pritet të dalë me vendim gjatë së mërkurës dhe nëse kërkesa pranohet izraeliti Frig do të mbetet gjatë në Shqipëri.

Ndërkohë Yoram Frig, rrëfen për BalkanËeb, momentin e ndalimit në aeroportin e Rinasit si dhe arsyen përse udhëtoi drejt Shqipërisë. Ai pranon faktin se ishte punësuar nga deputeti Tom Doshi për të kontrolluar nëse në kompanitë e tij kishte përgjues. Frig sqaron se pajisja që iu bllokua në Rinas, nuk kryen përgjime, por kontrollon nëse ka përgjues.

A mund të me thoni se çfarë ndodhi në aeroport?
Frig: Erdha me pajisjen time që më ndihmon mua të kontrolloj për përgjues në kompaninë time. Pra, kjo pajisje është për të kontrolluar nëse ka përgjues. Në doganë, sapo u thashë për këtë, menjëherë telefonuan policinë. I shpjegova policisë se çfarë është kjo pajisje. Për çfarë janë prodhuar dhe që unë udhëtoj në të gjithë botën duke punuar me të, që është e lejueshme një gjë e tillë.

Pra, mund të shkosh me të në të gjithë botën, mund të shkosh në SHBA. Dhe kaq. Më kërkuan që të shkoj më ta. Më morën telefonin dhe pasaportën. Analizuan nëse kjo pajisje ishte vetëm për qëllimin që u thashë apo për të tjera. Unë prita këtu derisa ata të vendosnin se çfarë do të bënin. Nuk kisha si qëllim të shkaktoja, problem qeverisë apo policisë. Kjo është puna ime.

Prej sa ditësh jeni në Tiranë?
Frig: Erdha për një ditë e gjysmë. Edhe sepse është një vizitë shumë e shkurtër erdha të mërkurën në mëngjes në orën 09.00, në orën dhjetë isha të Fabrika. Punova deri pasdite dhe më pas u ktheva në hotel. Prita derisa të vinte ora e largimit. Të enjten pasdite kur shkova në aeroport për kontrollin e bagazheve atëherë ndodhi ajo që ju shpjegova, pra, më ndaloi policia.

Cili është personi që ju ka punësuar për këtë punë?
Frig: Duhet ti dërgoj faturën kompanisë që kontrollova, me qëllim që të paguhem. Kudo që shkoj paguhem për këtë punë.

Pasaporta juaj është e bllokuar në këto momente?
Frig: Po. Pasaporta, telefoni celular dhe të gjitha pajisjet e mia.

Pra, ju nuk mund të ktheheni në Izrael?
Frig: Nuk mundem dhe nuk dua të shkoj, pa pajisjet e mia dhe telefonin dhe sigurisht nuk mund të lëviz pa pasaportë.

Keni frikë nga kjo situatë e krijuar?
Frig: Nuk mund të them se ishte një moment i lumtur. Është hera e parë që më ndodh në jetën time një situatë e tillë. Kjo është jeta.

Kur prokuroria të sqarojë situatën do kthehesh në Izrael?
Frig: Sigurisht nuk kam çfarë të bëj këtu. Më duhet një ditë të bëhem gati dhe të largohem.

Kjo punë që kryen është e ligjshme në Izrael?
Frig: Po është e ligjshme kudo në botë. Kam punuar në të gjithë botën në këtë punë.

Është hera e parë që vini në Tiranë?
Frig: Jo, është hera e tretë apo e katërt. Më pëlqen Tirana shumë. Dy herë kam ardhur për vizitë dhe dy herë për punë. Në të dyja rastet jam kontraktuar nga i njëjti person. Njëherë kontrollova fabrikën e vjetër dhe këtë herë fabrikën e re. Personi që më kontraktoi donte të dinte nëse është gjithçka në rregull në kompanitë e tij.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: