TIRANE-Pas denoncimit të ish- kryeministrit Sali Berisha se nga festivali i RTSH-së një këngë është censuruar për shkak të tekstit, duke bërë përgjegjës kryeministrin Rama, ka ardhur reagimi i zëdhënëses së festivalit të RTSH-së, Kozeta Kurti.

Ajo ka shpjeguar se kënga e Kastro Zizos nuk e kaloi fazën e parë kualifikuese dhe se kjo çështje nuk duhet të politizohet. Kujtojmë se edhe vetë këngëtari Kastro Zizo reagoi dje duke u shprehur se kënga e tij nuk duhet të përdoret politikisht.
Deklarata:

“Mos i përdorni artistët politikisht!
Gjatë ditës së sotme, mediat janë fokusuar në një status të Z. Sali Berisha, sipas të cilit Kastro Zizo është përjashtuar nga edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës për shkak të tekstit politik.
Kënga e Kastros nuk është përjashtuar nga Festivali. Ajo nuk ka kaluar këtë fazë të garës, njësoj si edhe afro 40 këngë të tjera, për të cilat do ishte absurde, demotivuese, detajimi i arsyeve të skualifikimit.
Komisioni i përbërë nga:
Luan Zhegu
Makelian Kapedani
Ben Andoni
Edmon Rrapi
Sokol Marsi
kanë votuar secili në mënyrë të pavarur dhe mbajnë përgjegjësi personale për integritetin e tyre profesional.
Çdokush është i lirë të mbrojë krijimtarinë e tij artistike, por askush nuk ka të drejtë të ndosë artin me politikën. Kësaj të fundit i del teatri në të cilin interpreton çdo ditë”.
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb