TIRANE – Ajo ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për një kohë të gjatë për shkak të lajmeve të gëzuara që vetë preferoi t’i jepte. Së pari, fejesa e saj me avokatin dhe më pas pritja e ëmbël e një vogëlusheje. Floriana Garo, ish-misi shqiptar dhe ish-moderatorja e autorja e “Jo vetëm modë”, në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” ka folur për herë të parë pasi është kthyer nga pushimet e fundit vetëm me partnerin. Ajo ka rrëfyer se si ndihet tani që do të bëhet nënë, se ç’projekte e presin së shpejti dhe se kur do ta shohim nuse. Gjithashtu, bukuroshja Floriana ka folur për herë të parë për reagimin që pati për zëvendësimin e saj në “Jo vetëm Modë” dhe si e priti ajo vendimin e produksionit.

floriana-garo-2
“Më surprizoi si lajm, pasi unë isha autorja e emisionit, jo vetëm moderatorja. Nuk e mendoja që ai format mund të bëhej më njësoj, ndaj edhe emri duhej të ishte ndryshe, por këtë gjë e vendosi ‘Klani’, që mbart patentën e programit”, ka thënë Floriana.
Për më tepër, intervista e mëposhtme:
Lajme shumë të bukura kanë qarkulluar për ju në portale, nisur me fejesën tuaj dhe tani me pritjen e ëmbël. Si ndiheni që do të bëheni nënë?
Çdo javë që kalon kam filluar ta përjetoj më shumë. Ka qenë një dëshirë e madhe e imja që të kisha një familje timen dhe tani po e jetoj me shumë gëzim këtë realitet. Kam filluar të lexoj dhe të informohem rreth progresit të shtatzënisë, lindjes, dhe kujdesit për beben dhe për veten.
Si e priti partneri juaj lajmin?
Me shumë kënaqësi dhe emocion. Tani po fillojmë të dy të mësohemi me idenë që jeta jonë nuk do të jetë më njësoj.
A keni menduar së bashku për emra fëmijësh?
Jo shumë, megjithëse e kemi një mundësi në mendje.
Ju keni qenë gjithnjë e rezervuar për jetën tuaj private dhe vendosët vetë të publikoni fejesën tuaj. A keni në plan ndonjë dasmë “surprizë” tani afër?
Unë dhe Enisi jemi martuar tashmë, por dasma do të jetë pas lindjes së vajzës. Do më duhet pak kohë për ta marrë veten dhe për ta planifikuar. Gjithçka në momentin e duhur.
Në një intervistë të mëparshme ke thënë që të pëlqejnë vendet romantike. A do të bëni një ceremoni me fëmijën, apo para se të lindë?
Ne shkojmë gjithmonë në vende romantike kur jemi bashkë, dasma besoj do të jetë për ta ndarë gëzimin tonë me prindërit, miqtë dhe dashamirësit tanë.
Ke qenë gjithnjë në një formë fantastike. A ke “frikë” se mos shtatzënia do të t’i ndryshojë linjat?
Faleminderit! Në fakt, këtë e kam pasur frikë, sepse unë e pëlqej shumë ushqimin dhe që tani kam shtuar në peshë mjaftueshëm. Jam me fat që jam e gjatë dhe kilogramët nuk bien shumë në sy. Megjithatë, pas lindjes, ia kam vënë kusht vetes të kujdesem për trupin edhe më shumë se më parë.
Je një nga femrat më të bukura dhe të thjeshta që përfaqësuan Shqipërinë në ‘miss’-in botëror në 2012. Më pas rrugëtimi juaj arriti kulmin në ekran me një format tuajin, “Jo vetëm modë”. A do t’ju mungojë ekrani?
Ekrani do të mbetet gjithmonë një nga dashuritë e mia të mëdha, por tani jam fokusuar në këtë jetë të re që po krijoj në Zvicër.
Ju vendosët të largoheni nga ekrani për shkak të angazhimeve dhe përparësive të tjera që keni në jetë. A mendoni në një të ardhme të riktheheni sërish?
Kam nisur një tjetër kapitull dhe po e shijoj shumë. Në ekran do të rikthehem herë pas here në të ardhmen, si e ftuar nëpër emisione, por ndoshta edhe si protagoniste.
Si e morët lajmin që do të vazhdonte të transmetohej “Jo vetëm modë”, por me një moderatore tjetër?
Më surprizoi si lajm, pasi unë isha autorja e emisionit, jo vetëm moderatorja.
Ju jeni ideatorja dhe drejtuesja e tij, a keni komunikuar me produksionin lidhur me këtë vendim?
Nuk e mendoja që ai format mund të bëhej më njësoj, ndaj edhe emri duhej të ishte ndryshe, por këtë gjë e vendosi “Klani”, që mbart patentën e programit.
Më parë ju keni dhënë disa detaje të vogla lidhur me si e keni njohur Enisin. Ishte dashuri me shikim të parë?
Kjo është një pjesë e veçante për ne, që dëshirojmë ta ruajmë private. Por mund të them që dashuria e vërtetë nuk ndodh me shikim të parë, duhet njohur dhe vlerësuar thellësisht dikush para se ta ndjesh se e dashuron.
Çfarë ju bëri të “vraponit” pas tij në Gjenevë?
Sigurisht nuk vrapova, hodha një hap të menduar mirë dhe gjatë, për të mirën e familjes tonë. Në të ardhmen nuk e dimë se ku do të jetojmë, por e rëndësishme është që të jemi bashkë.
Nëpër rrjetet sociale keni shpërndarë copëza të pushimeve tuaja së bashku me Enisin në Punta Cana. Si ishte të kalonit momente të veçanta pranë partnerit tuaj gjatë kësaj pritjeje të ëmbël?
Ky ishte një udhëtim shumë i veçantë, pasi ishin pushimet tona të fundit vetëm, në këtë fazë që jemi, pa preokupimin e një fëmije. Unë fatmirësisht deri tani kam pasur një shtatzëni të lehtë, pa shqetësime dhe udhëtimet i kam përballuar mirë. Kam lexuar që ndjesitë e nënës i përçohen edhe bebes në bark, ndaj udhëtimin besoj e kemi shijuar të tre.
Ndërkohë jeni kthyer nga pushimet. Keni nisur diçka të re me të cilën po merreni në Gjenevë?
Tani jemi në një tjetër udhëtim. Këtë herë në alpet zvicerane, me zyrën e avokatisë së Enisit, ku tashmë jam edhe unë pjesë si drejtuese e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun. Koha mes kolegëve jashtë punës është motivuese dhe çlodhëse për të gjithë. Krahas punës në zyrën e avokatisë, unë jam edhe administratore e një qendre biznesi në Gjenevë, që unë dhe im shoq sapo e kemi krijuar, “Bona Fide Business”. Një tjetër karrierë nga ajo me të cilën isha mësuar, një tjetër gjuhë, vendbanim, jetë. Por gjithçka po e përjetoj me entuziazëm dhe guxim. Është e rëndësishme të mbash një mendje të hapur për të parë se ku fati të çon.
Si po ecën bashkëjetesa? Jetoni vetëm apo së bashku me familjen e Enisit?
Jetojmë vetëm të dy dhe jemi shumë të lumtur kështu, por në të ardhmen kemi të dy dëshirë për një familje të madhe.

 

 

Burimi: http://www.gsh.al/2017/12/16/ekskluzive-floriana-garo-une-dhe-enisi-jemi-tashme-te-martuar-ja-kur-te-behet-dasma-fotot/

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: