PODGORICE– Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fuqizimi i sistemit të vaksinimit në vendet e Evropës Juglindore është në qendër të takimit të drejtuesve të Shëndetësisë të 11 vendeve të Evropës Juglindore me drejtoren e OBSH-së për Europën, Zsuzsanna Jakab. Në takimin që po zhvillohet në Podgoricë, merr pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Shtrirja e programit të vaksinimit është në nivelin 97% në Shqipëri, duke arritur kriteret e përcaktuara nga OBSH. Megjithëse ky mbulim vaksinal është ndër më të lartët në Evropë, ne po punojmë për zgjerimin e programit të vaksinimit, me programin kombëtar që po ndërmarrim për kujdesin shëndetësor në komunitet, falë të cilit po vaksinohen kategori vulnerabël, si fëmijët e komunitetit rom”, tha ministrja Manastirliu në takimin për vaksinimin që po zhvillohet në Podgoricë.

Sipas ministres Manastirliu, nga rastet e fundit të shpërthimit të fruthit në vend, rezultojnë rreth 10 mijë të vaksinuar në nivel kombëtar, jashtë procesit rutinë.

“Ne garantojmë vaksinimin për 11 sëmundje të parandalueshme, por duhet të nxisim vaksinimin si një ndërhyrje me rëndësi në shëndetin publik, si një të mirë publike”, tha Manastirliu.

“Vendet e Europës Juglindore kanë bërë punë të lavdërueshme për luftën ndaj sëmundjeve të parandalueshme përmes vaksinimit por duhet punuar ende për të arritur objektivat për eliminimin e fruth-rubeolës”, u shpreh Zsuzsanna Jakab, drejtore e OBSH-së për Europën.

Vendet e Evropës Juglindore u angazhuan të përafrojnë programin e tyre të vaksinimit me Planin e Veprimit për Vaksinimin të Evropës 2015–2020.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb