Trajneri i kombëtares së futbollit, Christian Panucci, për sfidën miqësore kundër Turqisë që do të luhet në orën 18:30 po mendon të hedhë në fushë një formacion sulmues. Italiani në takimin e fundit që kuqezinjtë do të luajnë për këtë vit kalenderik ka zgjedhur të startojë me Grezdën, Roshin dhe Sadikun në vijën e parë ofensive.

Berisha është i konfirmuar në portë, në mungesë të Strakoshës që ka udhëtuar drejt Italisë. Hysaj, Ajeti dhe Mavraj do të plotësohet në rreshtimin me katër me Lenjanin, që pritet ta nisë takimin nga minuta e parë. Lenjani është preferuar përpara Alijit dhe Balliut në të majtë.

Në mesfushë pas problemeve fizike të Bashës vendin e titullarit nga minuta e parë do ta ketë Sabien Lilaj. Konfirmohen Memushaj e Xhaka për ta plotësuar treshen e mesfushës.

Panucci që prej zyrtarizimit të tij në krye të Kombëtares ka treguar se ka një filozofi tjetër nga De Biazi, i cili mendonte më shumë për mbrojtjen dhe jo për sulmin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb