NGA REZARTA DELISULA

Një pjesë e politikanëve mendojnë se dënimi me vdekje duhet rikthyer për raste specifike, nisur nga rritja e kriminalitetit në vend. Sipas tyre, është si vrull popullor, kjo dëshirë për të rikthyer dënimin me vdekje, por juridikisht duket e pamundur për shkak se Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Këshillit të Evropës për heqjen e dënimit me vdekje. Edhe pse kjo masë ekstreme duket e domosdoshme për një vend si Shqipëria, ku burrat vrasin gratë pa teklif, çdo qasje e tillë do të krijonte probleme politike në marrëdhënie me Evropën. Të pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, disa prej politikanëve kanë dhënë opinionet e tyre sa më poshtë.

MURAT BASHA, ANËTAR I KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD:
Absolutisht jam pro rikthimit të dënimit me vdekje, sidomos për raste specifike të vrasjes së grave e fëmijëve. Jam shumë i keqardhur e gatigati më vjen të ulërij kur shoh se sa paaftësi ka nga qeveria për parandalimin e këtyre rasteve të tmerrshme të dy ditëve të fundit, kur një grua nën urdhra mbrojtjeje u hodh nga ballkoni dhe dy fëmijë u varën nga një kriminel. Ata që vrasin gra e fëmijë s’mund të quhen qenie njerëzore dhe s’mund të jetojnë mes njerëzve.

Nuk ka paburrëri më të madhe se sa të dhunosh një grua e aq më keq ta vrasësh atë. Ndërkohë që mbajtja e këtyre njerëzve nëpër burgje është kosto për buxhetin e shtetit. Njerëz të tillë i shpëton edhe nga vetja e tyre duke i dënuar me vdekje. Unë jam absolutisht pro rikthimit të dënimit me vdekje dhe patjetër që duhet riparë.

KRESHNIK SPAHIU, KREU I ALEANCA KUQ E ZI:
Do më duhet të mbaj dy qëndrime, një politik dhe një juridik në lidhje me një lloj kërkese dhe tendence popullore për të ashpërsuar politikën penale për krimet për motive të dobëta dhe krimet e rënda. Ka një tendencë shoqërore për të vendosur dënimin me vdekje, kjo për shkak edhe të rritjes së kriminalitetit. Nga ana tjetër, do të thosha që ka dy pozicione që janë antagoniste me njëratjetrën. Nëse do u referohemi politikave penale dhe problemit social, dënimi me vdekje duhet të rikthehet në Shqipëri, për shkak se Shqipëria është një fenomen ‘Sui Generis’ në raport me shumë vende të tjera në rajon.

Nga ana tjetër, përsa i përket i përket analizës juridike, dënimi me vdekje do të shpallej antikushtetues (nëse parlamenti do ta miratonte), sepse vetë Kushtetuta thotë se jeta e njeriut mbrohet me ligj dhe asnjë gjykatë s’mund të vendosë marrjen e jetës e njeriut, pavarësisht veprës penale të kryer. Pra, së pari duhet ndryshimi i Kushtetutës dhe së dyti, nëse bëhej ky ndryshim, Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut do ta deklaronin në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, sepse Shqipëria është një vend anëtar i Këshillit të Europës dhe në momentin kur është pranuar aderimi i Shqipërisë anëtare KE-së, ashtu si edhe çdo vend tjetër i Evropës, edhe Shqipëria u detyrua ta heqë dënimin me vdekje. Pra, praktikisht dënimi me vdekje duhet rikthyer, por teorikisht është i pamundur.

MUHARREM XHAFA, KREU I PPSH-së:
Dënimi me vdekje ka lindur në kushte të caktuara dhe u kthye në ligj, me qëllim që të parandalonte të gjitha ato fenomene negative që kalonin deri në krim ndaj njeriut, pronës e çështjeve të tjera. Shtetet që e kanë miratuar dënimin me vdekje, e kthyen në domosdoshmëri, në legjislacion, duke e përdorur për të parandaluar fenomenin, jo për të vrarë njerëz. Ky ligj nuk zbatohej masivisht, por përdorej rrallë për të dhënë shembullin e duhur dhe ka dhënë efekte pozitive në frenimin e krimit.

Në kushtet e sotme kur i merret jeta njeriut apo i shkatërrohet prona me pasoja katostrofike, mendoj se heqja e dënimit me vdekje i ka favorizuar këto krime. Heqja e dënimit me vdekje nga Shqipëria u bë në mënyrë të parakohshme e të gabuar. Në këto kushte ku ndodhemi, dënimi me vdekje duhet rikthyer dhe e përsërita pak më lart jo për eufori kolektive, por duke e përdorur me vend dënimin, të parandalohen raste të tjera.

SULEJMAN GJANA, KREU I PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT:
Dënimi me vdekje mund të jetë një zgjidhje për raste shumë të veçanta, sidomos në kushtet e shoqërisë shqiptare. Krimet që shokojnë shoqërinë dhe që krijojnë traumë kolektive, siç janë krimet ndaj fëmijëve, grave apo personave të pambrojtur, duhet të marrin një ndëshkim shembullor, që kor respondon me pritshmërinë e shoqërisë nga Drejtësia. Për fat të keq, “mungesa” e drejtësisë në vendin tonë ka shkaktuar zbatimin e dënimit me vdekje në mënyrë individuale dhe private nga viktima dhe familjarë të tyre, që bëjnë vetëgjyqësi. Ky fenomen dhe shqetësim real duhet të marrë fund dhe të inkuadrohet.

Për mendimin tim, përveç faktit që dënimi me vdekje do të ulte rastet e vetëgjyqësisë, zbatimi i dënimit me vdekje për disa kategori krimesh do të ishte edhe një masë parandaluese për shumë krime. Duke marrë parasysh Konventën Europiane për Drejtat e Njeriut, do të ishte e vështirë që dënimi me vdekje të vendoset në Shqipëri, por përderisa nuk jemi akoma një vend anëtar i BE, mund të gjenden modalitete dhe mund të justifikohet miratimi i një ligji për dënimin me vdekje për një periudhë tranzitore, deri në prag të anëtarësimit. Sidoqoftë, një ligj i tillë nuk mund të lihet në duart e një sistemi gjyqësor të përfolur dhe akuzuar publikisht për korrupsion. Zbatimi i vetingut do të ishte kushti i parë që duhej t’i paraprinte çdo diskutimi për vendosjen e dënimit me vdekje në Shqipëri.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: