TIRANE – Me një telefonatë nga spitali i burgut në kryeqytet, Fotaq Zaharia, i dënuari për pengmarrje dhe gjobvënie, kërkon që shteti shqiptar të marrë masa për operimin e tij. I përfolur aq shumë në botën e krimit, Zaharia shprehet për “Gazeta Shqiptare”, se ai prej afro 8 vitesh po kurohet në spital për këmbën, të cilën, sipas tij, ia kanë masakruar policët para disa vitesh.

“Kur policia më arrestoi me të padrejtë në vitin 2007, mua më plagoi policia në këmbë. Që prej asaj kohe, unë vuaj në spitalin e burgut. Në atë kohë, më vunë një pllakë në këmbë, sa për të mbijetuar, por ka ardhur koha që kjo pllakë të më hiqet, sepse mua çdo ditë më hahet kocka e këmbës dhe duhet të operohem patjetër. Më kanë thënë mjekët që kam mundësi të ecë sërish, por shteti nuk më operon. Unë dua që shteti të më operojë, pasi vetë shteti ma masakroi këmbën”, – shprehet Zaharia.

Veç kësaj, ai pohon se për këtë çështje i është drejtuar edhe Komitetit të Helsinkit, ndërkohë që jep edhe mendimin e tij se përse shteti shqiptar nuk e operon atë. “I jam drejtuar edhe Komitetit të Helsinkit dhe po pres që të marr një përgjigje. Unë mendoj se kam akoma mundësi që ta rikuperoj këmbën dhe ecjen time, por këta nuk duan të më operojnë. Këtu në spital ka mungesë ilaçesh dhe jo më të kenë mundësi që të më operojnë mua, por po të duan, e gjejnë mundësinë. Unë nuk dua të vdes në spital. Dua të eci përsëri”, – shprehet Zaharia nga spitali i burgut. Pas arratisjes nga paraburgimi i Vlorës në vitin 2001, Fotaq Zaharia bashkë me shokun e tij, Armando Begaj, për më shumë se pesë vite kryen disa krime radhazi, derisa Zaharia u arrestua në vitin 2007 nga uniformat e policisë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb