ELBASAN- 20-vjeçarja Kamela Hamiti humbi jetën tragjikisht dje në një aksident të ndodhur në aksin rrugor Cërrik-Gostimë, në afërsi të fshatit Shtërmen.
Ajo ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pas aksidentit, gjatë transportimit për në Spitalin Rajonal të Elbasanit. “BalkanWeb” ka zbuluar se Kamela ishte vajza e vetme e familjes Hamiti nga qyteti i Cërrikut. Ajo kishte rreth tre muaj që ishte fejuar me 24-vjeçarin Sardi Hoxha, nga fshati Thanë, pak kilometra larg qytetit të Cërrikut.

Kamela Hamiti 3

Ata ishin njohur bashkë prej më shumë se një viti dhe para tre muajsh e kishin familjarizuar lidhjen e tyre. Në fundjavë Sardi kishte shkuar në Cërrik dhe kishte marrë Kamelën në banesën e tij, dhe të dielën në drekë ai sërish po e çonte për në Cërrik, por që fatkeqësisht Kamela nuk shkoi më e gjallë, për shkak të aksidentit fatal që i mori jetën në lule të rinisë. Madje dyshohet se Kamela ishte dhe shtatzënë.

Kamela Hamiti 4

Sipas fqinjëve të Sardit, bëhet e ditur se vetëm para tre ditësh (të premten) ata kishin bërë celebrimin dhe nga muaji gusht i këtij viti kishin vendosur të martoheshin, raporton “BalkanWeb”. Edhe pse policia nuk e konfirmon shtatzëninë e Kamelës, dyshohet se në këtë aksident kanë humbur jetën dy persona, Kamela dhe foshnja e saj.

Gjatë aksidentit të djeshëm automjeti tip “Volkswagen” me targa AA 015 MR që drejtohej nga 24- vjeçari Sardi Hoxha, banues në fshatin Thanë, i fejuari i Kamelës është përplasur me automjetin tip “Ford” me targa AA 123 BE që drejtohej nga 58-vjeçari N.H., banues në Cërrik.

Si pasojë e përplasjes së fortë janë plagosur dy drejtuesit e mjeteve dhe 3 pasagjerë, por një prej tyre, Kamela Hamiti humbi jetën sapo mbërriti në spital. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e makinës tip “Ford”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb