Kompania prestigjioze gjermane “Audi” ka prezantuar konceptin e saj më të ri të shumëpritur, Q8, në panairin e veturave në Detroit.

Koncepti “Audi Q8” është modeli më luksoz i kompanisë në të gjitha kohërat. Audi, me këtë koncept paralajmëron se do të hyjë në segmentin Coupe-SUV, ndërsa prodhimi i këtij koncepti pritet të fillojë në vitin 2018.

Sipas Audi-t, ky koncept është kombinim në mes të një modeli sportiv, linjave të bukura të një Coupe si dhe një SUV-i klasik. Po ashtu, koncepti Q8 ofron më shumë hapësirë për pasagjerë, falë boshtit të saj prej tre metra.

Audi Q8 vjen me versionin e ri të kabinës virtuale të Audi-t, e cila tani ka funksione të reja dhe rezolucion më të madh. Dy ekrane të reja të integruara në pjesën qendrore përdoren për të menaxhuar sistemet e makinës, por edhe për funksione tjera.

Koncepti Q8 vjen me motor benzinë 3.0-litër me kapacitet prej 443 kuajfuqi, i cili është në kombinim me marshin automatik me tetë shpejtësi. Q8, shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 5,4 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 250 km/h.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: