TIRANË – Biznesmeni amerikano-libanez, Faad Mitri, i cili u detyrua të largohej me barrelë nga Shqipëria pasi u dhunua barbarisht nga 3 persona, do të rikthehet nesër në Tiranë.

Burime shumë të afërta pranë tij konfirmojnë për “BalkanWeb” se arsyeja që e ka detyruar Mitrin të rikthehet në Shqipëri është humbja e nënës së tij e cila jetonte në Tiranë.

Të njëjtat burime bëjnë gjithashtu të ditur për “BalkanWeb” se biznesmeni amerikano-libanez do të marrë pjesë nesër në ceremoninë kishtare që zhvillohet në ora 11:00 në Kishën Orthodhokse në Tiranë, e mandej në ceremoninë mortore të nënës së tij që do zhvillohet tek varrezat e Tufinës. Nuk është e qartë nëse pas dhënies së lamtumirës së fundit për nënën e tij, Faad Mitri do vazhdojë të qëndrojë në Tiranë apo do të largohet menjëherë.

 

lajmerimi

 

Vetëm pak ditë pas dhunës barbare ndaj biznesmenit amerikano-libanez, kompania e tij u tërhoq zyrtarisht nga investimi gjigand prej 450 milionë dollarësh në Gjirin e Lalzit.

Kompania Omnix Albania deklaroi madje se tërhiqej nga ndërtimi i kompleksit turistik në gjirin e Lalzit dhe nga çdo investim tjetër në Shqipëri. Ajo u shpreh se akti i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve. Sipas kompanisë, ky projekt gjigand synonte të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018.

Biznesmeni libanez 55-vjeçar, u përplas fillimisht me makinë, ndërsa udhëtonte me familjen në rrugën e Rinasit dhe më pas u dhunua barbarisht nga 3 persona. Një prej autorëve të dyshuar është vënë në pranga. Sipas policisë, krimi pati si motiv konfliktin e pronësisë pikërisht për tokën tek Gjiri i Lalëzit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb