Kampionatet e futbollit në Shqipëri shpesh prodhojnë raste nga më të çuditshmet. Edhe pse ka patur një lëvizje përsa iu përket terreneve sportive, kjo ka prekur vetëm elitën e futbollit në vendin tonë, Superligën. Por pavarësisht kësaj, problemet nuk kanë patur fund. Çështjet e arbitrimit, tifozëve, organizimit të ndeshjeve, janë disa nga vështirësitë që hasen çdo ditë.

E kur këto ndodhin në elitë, imagjino në kampionatet e moshave. Kemi parë lojtarë që ndërrohen në natyrë, luajnë në një fushë të mbuluar me baltë, pa uniforma, shoferë autobuzash që kthehen në ‘gjykues’ ndeshjesh. Të gjitha këto në kampionatin e moshave të U-17, aty ku vëmendja e federatës pothuajse është zero.

Rasti më i fundit, raporton “BalkanWeb” është në takimin ndërmjet Dinamo U-17 dhe Partizani U-17, ndeshje e cila ka përfunduar në favor të dinamovitëve me rezultatin 5-1. Edhe pse është një kategori në nivele amatorizmi, arbitri i takimit ka marrë qendrën e vëmendjes.

Tre gola i janë anulluar të kuqve ndërsa po aq, i janë akorduar ekipit kundërshtar, të gjitha raste të dyshimta. Skandali nuk ndalet këtu pasi neglizhenca e organit më të lartë organizativ të futbollit në Shqipëri, FSHF-ja, bën që në fund arbitri të ‘festojë’ fitoren e Dinamos, duke pozuar së bashku me lojtarët.
Partizani 3Partizani 1
Nëse të gjithë sportëdashësit shpresojnë për një rritje të nivelit të futbollit në Shqipëri, atëherë kjo të paktën nuk ka për të ndodhur as në 10 vitet e ardhshme. Akademitë janë baza e një ekipi futbolli, por duket se në vendin tonë vetëm emërtimin e kanë të tillë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb