Federata Shqiptare e Futbollit pas ndeshjes kundër Italisë në Palermo mori masa për dënimin e tifogrupit që shkatoi incidente në stadium duke ndërprerë takimin për disa çaste. Në njoftimin e organit më të lartë qeverisës së futbollit në vendin tonë thuhej se “Illyrian Elite” nuk do shkelte më në impantet ku do luante Kombëtarja dhe për këtë arsye vendos të mos shpërndajë bileta për asnjë anëtar të tyre. Mirëpo, dje, një grup i madh i kësaj tifozerie ka qenë i pranishëm në stadium për të ndjekur Shqipërinë në “Elbasan Arena”.

SFIDA
Pak ditë më parë, FSHF deklaroi se do të ndalonte kategorikisht futjen e tyre në impiante. “Federata Shqiptare e Futbollit, duke u distancuar tërësisht nga veprime të tilla krejtësisht të papranueshme, ka vendosur të mos u japë dhe të mos u shpërndajë më asnjë biletë për në stadium anëtarëve të grupimit ‘ILLYRIAN ELITE’, të cilët goditën imazhin e mrekullueshëm që prodhoi në Europian tifozeria dhe qytetaria shqiptare”, shprehej ndër të tjera institucioni i futbollit me anë të reagimit.
illyrian-elite-470x353
Mirëpo, ky grupim ka sfiduar çdo ndalesë të deklaruar nga FSHF, pasi ka qenë dje në mënyrë masive për të mbështetur Kombëtaren. Duket se urdhëresa e FSHF-së nuk u kishte shkuar forcave të sigurisë në stadium, ose këta të fundit kanë vendosur të tolerojnë në këtë ndeshje, pasi grupimi në fjalë nuk u fsheh aspak, përkundrazi.
illyrian-elite1-470x264
Të pozicionuar në një vend të dukshëm në Tribunën C të stadiumit, ata u paraqitën me fanellat me logot e tyre, për të bërë të qartë se nuk frikësoheshin kurrsesi nga kërcënimi i FSHF-së, i cili në rastin konkret rezultoi bosh. Gjatë gjithë ndeshjes, ky grupim ka ironizuar dhe ofenduar zyrtarët e institucionit të futbollit dhe vetë federatën, në lidhje me sjelljen e saj përballë tifozëve në stadiumet shqiptare. Prania e tyre ka qenë masive, pavarësisht deklaratës së federatës për t’i ndaluar.
illyrian-elite-shako-470x627
“Illyrian Elite” gjithashtu kishte përgatitur një surprizë për komentatorin Dritan Shakohoxha. Ky i fundit doli hapur kundër këtij tifogrupi pas incidenteve në Palermo, dhe reagimi i tifozëve nuk vonoi teksa dje i kishin ngjitur një logo të tyren mbi tavolinën nga ku Shako po komentonte miqësoren Shqipëri-Bosnjë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb