GREQI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës së kaluar në një lagje të Athinës, ku një familje shqiptare është sulmuar nga persona të armatosur që dyshohet se ishin grabitës.

Mediat greke shkruajnë se persona të paidentifikuar, në orën 02:00 të mëngjesit, kanë hyrë në banesën e familjes shqiptare, në rrugën “Olympou” dhe kanë qëlluar me armë në kokë gruan 50-vjeçare dhe burrin e saj 53 vjeç. Paralelisht plagosën me mjete prerëse në fytyrë djalin e tyre 27 vjeç. Gjithçka në prezencë të vajzës 17-vjeçare. Çifti u dërgua me urgjencë në spital por gruaja ndërroi jetë gjatë rrugës, ndërsa burri është në gjendje të rëndë.

Policia në banesën e familjes shqiptare në Athinë
Policia në banesën e familjes shqiptare në Athinë

Nuk dihet ende se cila është familja shqiptare pasi policia greke nuk ka dhënë emra. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për grabitje, pasi autorët kanë marrë një portofol me para, por gjithsesi po hetohet nga policia greke për zbardhjen e plotë.

Vajza minorene ka parë gjithë ngjarjen por ende nuk është marrë në pyetje nga policia për shkak të gjendjes së shokur. Sipas mediave greke që citojnë policinë, porta e shtëpisë së familjes shqiptare rezulton e pa dëmtuar, çka do të thotë se autorët kanë hyrë lirshëm, ose familja kishte njohje me ta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: