SUEDI- Një 18-vjeçar shqiptar, student i mjekësisë nga Peja është vrarë me thikë në Suedi. Mësohet se viktima është Suad Hajron Shkreli, i cili jetonte me familjen në Suedi që prej kohës së luftës në Kosovë dhe aktualisht studionte për mjekësi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës së 22 marsit, rreth orës 21:30 kur i riu i shqiptar, në shoqërinë e disa miqve të tij është sulmuar nga persona ende të paidentifikuar, raporton “BalkanWeb”. Shkreli është qëlluar disa herë me thikë dhe ka ndërruar jetë pas disa orëve në spital për shkak të plagëve të marra, ndërsa edhe 2 shokë të tij janë plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një fast food-i “Mc.Donald”, në kryeqytetin suedez Stockholm, 30 metra larg banesës së familjes Shkreli.

Suad Shkreli është përfshirë në ngjarje pasi ka dashur të mbrojë shokët e tij, ndërsa dëshmitarët kanë deklaruar se një prej autorëve ka bërtitur “Allahu Ekber” para se të sulmonte.

“BalkanWeb” raporton se 18-vjeçari, siç bëhet e ditur nga burime të afërta me familjen, ishte djalë i vetëm i familjes Shkreli. Jo zyrtarisht thuhet se sulmuesit, ishin shtetas të huaj, nga vendet myslimane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: