MAT– Disa orë pas zbulimit të magazinës së tharjes së drogës në Mat, policia ka ndaluar një kamionçinë, vetëm pak metra larg ndërtesës, midis fshatit Rukaj dhe Prell. Kamioniçina me targë TR 1344 U është pikasur nga policia ditën e sotme, ndërsa ka dyshime se ai përdorej për transportimin e drogës.

Drejtuesi i mjetit ka arritur t’i shpëtojë policisë dhe është shpallur në kërkim.

Në vendngjarje mbërritën edhe përfaqësues të prokurorisë së Matit, që vijojnë hetimet. Një ditë më parë policia sekuestroi brenda magazinës 3 ton e 132 kilogramë kanabis.

Magazina me një sipërfaqe prej rreth 400 metra ishte ndërtuar kohët e fundit buzë një përroi.

Policia ka shpallur në kërkim pronarin Shpëtim Lika, ish-kryetar i PD në fshatin Rukaj, rreth 5 vite më parë. Gjatë këtij aksioni u asgjësuan edhe 13 mijë rrënjë kanabis të mbjella në disa parcela në fshatrat përreth magazinës.

NJOFTIMI I POLICISE
Në lidhje me informacionin e dhënë me datë 29. 09. 2016, për operacionin policor anticannabis në territorin e rrethit Mat, ku policia për 3 ditë asgjësoi 12.966 bimë narkotike, dhe u sekuestruan 3052 kg bimë gjysëm e tharë në një hangar në fshatin Rremull Njësia Administrative Rukaj Bashkia Mat ju informojm se:
Vazhdon puna në mënyrë intensive nga ana e policisë Matit, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale për të çuar para drejtësisë personat e implikuar në këtë ngjarje. Në vijim të veprimeve në afërsi të vendit ku u gjet bima narkotike është gjetur një automjet i braktisur tip kamionçinë me targë TR 1344 U. Ky automjet është sekuestruar nga ana jonë në cilësinë e provës materiale për veprime të mëtejshme. Nga verifikimet paraprake të kryera rezulton se ky automjet i përket Firmës AREKLA SH. P. K. Nga ana jonë vazhdon puna në mënyrë intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Mat, për të përcaktuar se kush e ka përdorur këtë automjet dhe a ka shërbyer ky automjet në këtë aktivitet kriminal.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb