BRITANI E MADHE – “La La Land” dominoi ceremoninë më të rëndësishme të çmimeve kinematografike në Britaninë e Madhe, duke forcuar pozitat e tij si filmi favorit për të rrëmbyer Oskarin.

Ai u vlerësua filmi më i mirë i vitit, ndërsa protagonistja Emma Stone dhe Damien Chazelle rrëmbyen trofetë e aktores dhe regjisorit më të mirë. Në total, muzikali fitoi 5 çmime, përfshirë ato për kinematografinë dhe muzikën origjinale.

“Në një kohë të tillë kaq përçarëse mendoj se është diçka shumë e veçantë që jemi mbledhur së bashku për të festuar dhuratën pozitive të kreativitetit dhe mënyrën se si ai mund të tejkalojë kufijtë dhe t’i bëjë njerëzit të ndihen më pak të vetmuar”, tha Emma Stone.

Këtë aktorja e lidhi edhe me murin që presidenti i SHBA-së Trump do të ndërtojë në kufirin me Meksikën për kufizimin e emigracionit dhe në kundërshtitë që ai ka hasur.

“La La Land”, që tregon historinë e një vajze të e cila dëshiron të bëhet aktore dhe një pianisti “jazz”-i, të cilët janë në kërkim të famës në Hollivud, ishte kandiduar për 11 çmime Bafta. Suksesi në këtë ceremoni pason atë të Golden Globe. Muzikali ka një numër rekod nominimesh për çmim Oskar, plot 14 të tilla.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb