TIRANE– Pas aksidentit që ndodhi rreth orës 04:41 në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, kur deputeti i PDIU-së përplasi me makinën e tij një 53-vjeçar, dalin pamjet e para të automjetit të Aqif Rakipit.

Pas vetëdorëzimit në Komisariatin nr.2 të Tiranës të deputetit Aqif Rakipi për aksidentin me vdekje që shkaktoi në autostradën Tiranë–Durrës, dalin detaje të reja.

Mësohet se viktima S.S. 53 vjeç sapo kishte zbritur nga një furgon kur i preu rrugën befasisht makinës që drejtohej nga deputeti Rakipi.

Nga ana tjetër, Policia që ka nisur hetimin deklaroi se Rakipi nuk rezultonte të kishte pirë alkol. Testi i alkolit i filmuar me kamera trupi ka rezultuar zero.

Po ashtu, krahas prokurorit të rrethit gjyqësor Tiranë, për aksidentin janë angazhuar edhe tre ekspertë të tjerë autoteknikë.

Aksidenti ndodhi në orën 4:41 minuta, ndërkohë që Rakipi në 4:51 minuta ishte dorëzuar vetë në Komisariatin nr.2 me gjithë makinën e tij të dëmtuar nga përplasja në pjesën e përparme ku ka deklaruar qartë se kishte përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej.

NJOFTIMI I POLICISE

Rreth orës 04:41, jemi njoftuar se në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me Tregun ushqimor ka ndodhur një aksident automobilistik.

Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete, dhe në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, Komisariati i Policise nr.2 ka njoftuar që në këtë Komisariat është paraqitur shtetasi A. R., me automjetin e tij, tip Mercedes (i dëmtuar në pjesën e përparme të tij) i cili deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej në Komisariat.

Ndërkohë është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur.

Në keto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas Ekspertit autoteknik të Policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e kembesorit S.S., rreth 53 vjeç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: