PUKË- Tre ditë pas arratisjes së të riut Emirjon Nika nga Komisariati i Policisë së Pukës, të afërmit i bëjnë apel të dorëzohet. Gazetari Armir Mehaj ka kontaktuar me gjyshen dhe dajën e 18-vjeçarit, të cilët janë ankuar edhe për presione të vazhdueshme nga ana e policisë, pavarësisht se bashkëpunimi i tyre ka qenë maksimal.

Gjyshja e Emirjon Nikës tregon për “BalkanWeb” momentin kur ai pas arritjes kishte arritur në këmbë deri në fshatin Pla, ku banojnë të afërmit e tij, kishte kërkuar buke dhe ishte larguar.

“Isha me bagëti kur më erdhi dhe kërkoi bukë, i thashë se çfarë kishte bërë, më tregoi se ishte arratisur dhe i thashë të kthehej në burg, pasi në të kundërt do i hapte probleme dajës. Më kërkoi t’i jepja një xhup që kisha veshur, nuk ja dhashë dhe iku në drejtim të shtëpisë. Këtu vajza ime i kishte dhënë pak bukë, ia ka rrëmbyer bukën nga duart dhe ka ikur në drejtim të varrezave. Çdo gjë këtu tek ne ka ndodhur rreth orës 17:00 të së shtunës. Jo shumë minuta më vonë ka mbërritur dhe Policia. I orientuam nga ishte nisur, por nuk di më gjatë, tregon gjyshja e Emirjon Nikës, Dava Morina.

Emirjon Nika sipas të afërmve të tij është biri i dy prindërve të divorcuar dhe është rritur mes dhunës që ka sjell një dramë të vërtetë sociale.

“Ai është rritur me halle dhe mes dhunës është biri i dy prindërve të divorcuar” tregon daja i tij Vlash Morina

Arratisja e nipit duket se ka sjell dhe probleme për familjen e nënës së 18-vjeçarit. Vlash Morina tregon se edhe pse ka bashkëpunuar me policinë serish ndjehet nën presionin e bluve të Pukës, pasi sipas tij ata dyshojnë se ai ka dijeni për vendndodhjen e nipit të tij.

“Prej të premtes unë jam nën presionin e policisë edhe pse ne si familje kemi bashkëpunuar me Policinë për arrestimin e tij. Sot më thirren në komisariat bashkë me motrën që kam këtu në shtëpi. Pasi kontaktova me shefin e komisariatit i cili u soll shumë mire, na morën në pyetje. Një punonjës policie i veshur civil më kapi nga jaka më tundi duke më sharë nga familja dhe tha trego ku është. Ky punonjësi tentoi dhe të më qëllonte, ndërkohë që unë nuk kam asnjë borxh. Kam mjaft hallet e mia. I bëj thirrje ministrit të brendshëm të ndërhyjë në këtë situatë, jam i pafajshëm dhe s’ka pse bëhet presion e dhunë mua”, deklaron ai

Daja dhe gjyshja e Emirjon Nikes i kërkojnë ati të dorëzohet sa nuk është vonë.

“I bëjmë thirrje të dorëzohet sa nuk është vonë. Ai një ditë do të arrestohet, thjesht po rëndon veten dhe ne”, shprehet Vlash Morina.

Emirjon Nika kishte dy vite që nuk shkonte në banesën e dajës pasi ky i fundit e kishte nxjerrë jashtë prej kohës kur i riu kishte dhunuar varrezat në fshatin Pla aty ku jetojnë dhe Vlash e Prenda Morina.

18-vjeçari Nika u arratis nga komisariati i Pukës mesditën e te shtunës, ndërsa arratisja e tij i kushtoi lirinë dy inspektorëve të policisë ndërsa dy të tjerë u pezulluan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb