Fundi i këtij sezoni në Europë ka rezervuar zhgënjime për disa ekipe dhe festë për disa të tjera, por më e rëndësishme se kjo ka qenë largimi i disa legjendave të cilët nuk do të luajnë më me klubet ku shkruan historinë e futbollit.

Njëri prej tyre është Andres Iniesta, futbollisti që në total shpenzoi 22 vite të karrierës te Barcelona. ‘Maestro’ mbylli mbrëmë kapitullin me katalanasit në ndeshjen kundër Real Sociedad, e cila gjithashtu ishte e fundit për këtë sezon në “La Liga”.

Para dhe gjatë ndeshjes ka patur shumë fragmente kur tifozët, lojtarët dhe drejtues klubesh kanë nderuar 34-vjeçarin spanjoll, ndërsa në fund vetë Iniesta ka mbajtur një fjalim para 90 mijë të pranishmish.

Të gjitha këto nuk kanë mjaftuar që Iniesta të largohet pa kthyer kokën pas. Kur të gjithë ishin larguar dhe dritat e stadiumit ishin fikur Iniesta është rikthyer sërish. Këtë herë për të qëndruar vetëm në ‘Cam Nou’ e për të kaluar ndërmend të gjithë ato momente lavdie që nuk kanë qenë pak.

Iniesta ka ndenjur për shumë kohës i ulur në fushë. Mediat spanjolle shkruajnë se ai ka qenë aty deri në orën 01:30 të mesnatës. Foto të cilët po emocionojnë këdo, tifoz ose jo të Barcelonës.

Mirupafshim ‘Maestro’.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb