NGA AURORA GOLEMI*

TIRANE- Në kryeqytet së fundmi kanë nisur të zënë vend kënde të reja shërbimi. Dy çajnikë metalikë të vendosur pranë pazarit të ri dhe 21 dhjetorit, janë çezmat e reja publike me ujë të pijshëm, ndërsa çezma të tjera publike janë vendosur në parkun “Rinia” në zonën e 9 katësheve dhe në trotuarin që lidh rrugën e Durrësit me rrugën e Kavajës.

Bashkia e Tiranës po vijon punën për vendosjen e 10 çezmave publike me ujë të pijshëm në zonat më të frekuentuara të qytetit. Mësohet se çezmat janë të pajisura me filtra dhe aparatura ftohjeje.

Ishte kërkesë e qytetarëve kjo, të cilën kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi se do e jetësonte dhe tanimë çezma publike po vendosen në disa nga zonat ku ka më shumë lëvizje qytetarësh.

Çezmat publike kanë qenë një nga elementet sociale më elegantë dhe fine të qytetit të Tiranës në periudha të ndryshme dhe sipas studiuesit Artan Lame në periudhën osmane, ato ndërtoheshin në formë monumentesh të vërteta me kolona e harqe, me mbulesë plumbi e me mbishkrime të dhuruesve.

Në një artikull publikuar për çezmat publike, Lame thekson se në vitet ‘30-të, veç tyre, u përhapën gjithandej qytetit edhe një numër çezmash ndërtuar me gizë dhe bronz. Çezmat monumentale të periudhës osmane u rrafshuan nga viti në vit, ndërsa çezmat e ndërtuara më vonë, përfunduan për skrap në Mal të Zi.

Ashtu si në periudhën otomane edhe sot çezmat publike kanë mbishkrimin e dhuruesit i cili në këtë rast është shteti i Kuvajtit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: