TIRANE – Një ngjarje e dyshimtë ka ndodhur në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe është raportuar mëngjesin e sotshëm në redaksinë e ‘Jetaoshqef’. Një punonjëse e QSUT-së ka fotografuar disa kolege të saj, të cilat janë duke bërë një veprim tepër të dyshimtë në pjesën e pasme të godinës së urgjencës.

Punonjëset e QSUT-së i janë afruar një deleje që mbahet nga një burrë me litar dhe i marrin gjak. Është e njëjta procedurë që ndiqet në rastet kur infermierët i marrin gjak një pacienti për të bërë analiza.

Denoncuesja, që thotë se është punonjëse e QSUT-së, shprehet e shqetësuar pasi nuk arrin ta kuptojë se përse kryhet ky veprim në ambientet e këtij spitali, i cili nuk është një spital veterinar.

Ajo shtron pyetjen se ndoshta po bëhet ndonjë kërkim shkencor për ndonjë kurë, por këtë gjë nuk arrin ta besojë as vetë dhe për më tepër, nëse do të ishte kështu, gjaku i kafshës nuk do të merrej në mes të rrugës, në këtë mënyrë.

“Mirëmengjes. Unë punoj në QSUT dhe kjo qe sapo pash me tmerroi. Nga njera ane dua te mendoj se po behet ndonje kerkim shkencor per ndonje kurë, por sikur s’po ia besoj as une vetes kete gje. Di ndonje pse merret gjaku i deles nga infermiere pas godines se urgjences?”, – shkruan mesazhdërguesja.

SHËRBIMI I MIKROBIOLOGJISË: JA PSE NA DUHET GJAKU I DESHEVE
Shërbimi i Mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë ka reaguar pas publikimit të fotove në rrjetet sociale. Shërbimi i Mikrobiologjisë  ka sqaruar se: “Marrja e gjakut tek delja është një procedurë rutinë e Shërbimit të Mikrobiologjisë. Gjaku i deshëve përdoret për përgatitjen e terreneve për kultivimin e mikroorganizmave të mundshme në një mostër klinike. Sistemi i mbledhjes së gjakut nga dashi, realizohet nëpërmjet tubave të posaçëm steril dhe përpunohet nga Shërbimi i Mikrobiologjisë”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: