Fotot e rralla nga historia e panjohur e ngjarjes së ndodhur 43 vjet më parë në fshatin Baldushk të Tiranës, ku pas ngordhjes së 100 lopëve, Sigurimi i Shtetit “zbuloi një grup armiqësor” nga i cili dy persona u pushkatuan, një grua vdiq në hetuesi dhe kreu “vetëvrasje” kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi.

Nga: Dritan XHEMALAJ

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë e kryesuar nga znj. Claudia Wollmer, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të Drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e pestë, me titull “Dritëhijet e ngjarjes së Baldushkut”.

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të. Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, si dhe stafi i tyre, sjellin këtë dokumentar që i kushtohet ngjarjes së vitit të largët 1975,kur në kooperativën bujqësore të fshatit Baldushk të Tiranës, ngordhën 100 lopë të rracës hollandeze, gjë e cila alarmoi udhëheqjen e lartë komuniste dhe deri Byronë Politike.

Nisur nga kjo, në fshatin Baldushk që atë ditë që u konstatua “intoksikimi i lopëve”, zbarkuan me urgjencë të madhe forca të shumta të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, Sigurimit të Shtetit, Hetuesisë dhe Prokurorisë së Përgjithëshme, të cilëve iu paraprinte, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretar i parë i Komitetit Partisë së Tiranës, Manush Myftiu, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi e shumë zyrtarë të tjerë partiakë e shtetërorë të rangjeve më të ulta. Si rezultat, kjo ngjarje që shkaktoi jo pak zhurmë në atë kohë, për shkak se përveç disa dënimeve të rënda me nga 25 vjet burg, iu pre jeta në mes edhe katër personave të akuzuar si krerët e “Grupit sabotator”, (dy u pushkatuan, një i tretë vdiq në hetuesi nga torturat dhe për të katërtin u tha se bëri vetëvrajsje), ka intriguar dy autorët bashkërealizues të projektit në fjalë, të cilët kanë synuar ta rindërtojnë atë ngjarje ashtu siç dhe ka ndodhur plot 43 vjet më parë.

Në këtë konteks, përveç dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme, (dosja hetimore dhe gjyqësore), në dokumentarin në fjalë, vijnë me dëshmitë e tyre para kamerave, pothuaj të gjithë personat që kanë lidhje direkt me atë ngjarje, apo më saktë personat që u akuzuan si pjestarë të “Grupit sabotator” dhe vuajtën dënimet e gjata në burgjet e regjimit komunist, apo dhe familjarët e katër personave që humbën jetën si të akzuar për implikim në këtë ngjarje. Në këtë kuadër sjellin dëshmitë e tyre para kamerave, Agim Akçani, një nga punonjësit kryesorë (brigadier) të stallës së lopëve ku ndodhi helmimi i lopëve, i cili përveç rrëfimit të ngjarjes, tregon torturat psikollogjike dhe fizike që i bëheshin atij gjatë hetuesisë, duke përmëndur të gjithë ata që e kanë keqtrajtuar.

Po kështu vijon me rrëfimin e tij edhe Hamdi Shabani ish-normist në stallëne lopëve të Baldushkut, ku ndodhi intoksikimi i lopëve. Me mjaft interes janë dëshmitë e dy vëllezërve, Faik dhe Haxhi Daja, (i pari ish-oficer i Sigurimit të Shtetit në atë kohë), të cilët tregojnë para kamerave lidhur me ngjarjen në fjalë, ku dy vëllezërit e tyre, Rifat dhe Latif Daja, u akuzuan si “Krerët e grupit sabotator” dhe si rezultat, Rifati u dënua me vdekje dhe u pushkatua, ndërsa Latifi u dënua me 25 vjet burg si “armik i popullit”. Po kështu dëshmi mjaft interesane sejll para kamerave, Nadire Shima, ish-mjelse e lopëve në atë kohë në stallat e Baldushkut ku ndodhi ngjarja, e cila tregon versionin e saj për atë se çfarë ka ndodhur në atë kohë, si dhe për torturat psikologjike dhe fizike që i bëheshin asaj gjatë hetuesisë, duke i futur në qeli një kufomë njeriu…?! Mes të tjerash, Nadirja tregon edhe për ato që ndodhnin në qeli me motrën e saj, Emine Shima, e cila nuk arriti të dilte dot e gjallë nga burgu?! Ndër dëshmitë me mjaft interes që vijnë para kamerave, janë edhe ato të Zef dhe Gjovalin Marashit, vëllait dhe të birit të Ndue Marashit, (ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës në atë kohë), për të cilin u tha se; “vrau veten nga që ishte i implikuar me ngjarjen e helmimit të lopëve”. Po kështu lidhur me këtë, jep versionin e saj edhe znj. Marta Doçi, (motra e bashkëshortes së Ndue Marashit), e cila hedh poshte versionin zyrtar të vetëvrasjes së kunatit të saj, madje duke vënë gishtin edhe mbi autorët…?!

Dokumentari në fjalë vijon me dëshmitë e rralla të Prof. Dr. Kosta Gazelit, i cili në atë kohë ka qenë një nga hetuesit kryesorë që është marrë me këtë ngjarje, i caktuar nga Drejtori i hetuesisë së Tiranës, Dilaver Bengasi. Lidhur me këtë, Gazeli (aktualisht profesor në Universitetin Mesdhetar të Tiranës), tregon versionin e tij rreth asaj ngjarje që ai ka hetuar në atë kohë, duke folur gjatë edhe rreth akuzave për tortura dhe keqtrajtime që i bëhen atij nga Agim Akçani, njëri nga të akuzuarit kryesor për ngjarjen në fjalë. Një dëshmi kyçe është ajo që sjell gjatë në dokumentar edhe prof. dr. Qemal Poçi, ish ekspert toksikolog dhe shef i Laboratorit Qëndror të Toksiokologjisë në atë kohë, i cili u ngarkua për të bërë analizat e lopëve të intoksikuara që shteti i dërgoi deri në Kinë për të “zbardhur” atë ngjarje. Prof. Poçi jep versionin e tij lidhur me dilemën e madhe: intoksikimi i lopëve kishte ardhur për shkak të ushqimit me pesticide që thuhej se kishin ngrënë lopët, apo ato ishin helmuar me zhivë termometri, siç akuzonte në atë kohë hetuesia?!

Përveç dëshmive të gjalla të ish-protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, dy bashkëautorët e dokumentarit, Kaloçi dhe Stafa si dhe stafi i tyre, kanë bërë publike edhe një numër të madh dokumentash arkivore dhe foto të rralla të panjohura më parë. Ky dokumentar që realizohet me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë e kryesuar nga znj. Claudia Vollmer dhe Radio-Televizioni Publik Shqiptar, nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm, Thoma Gëllçi, vjen premierë të mërkurën, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten në ora 13 e 20 në Radio Televizionin Publik Shqiptar.
bal

bal-1

bal-2

bal-3

bal-4

bal-5

bal-6

bal-7

bal-8

bal-9

bal-10

bal-11

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: