NGA FRANCA, ERVIN BAKU*

Ndërkohë që ne përgatitemi me seriozitetin më të madh për ndeshjen e nesërme kundër Francës, të zotët e shtëpisë mendojnë më shumë për ndeshjen e së dielës kundër Zvicrës. Trajneri Didier Deschamps ka menduar të lërë pushim disa titullarë nesër.

Është e sigurt që Paul Pogba dhe Antoine Griezmann nuk do të luajnë kundër nesh. Do të pushojnë që të jenë në formën e tyre maksimale për ndeshjen e fundit në grup. Për trajnerin francez, Zvicra konsiderohet rivali kryesor për vendin e parë në grup.

Francezët synojnë absolutisht vendin e parë në këtë grup A. Ky vend do t’i përballte ata në 1/8 e finaleve me një vend të tretë (të grupit C, D ose E) dhe në çerekfinale me një vend të dytë (të grupit B ose F). Pra një rrugë e shtruar më lehtë deri në gjysmëfinale. Ky është objektivi i Noël Le Graët, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit.

Një rrugë e lehtë në teori. Sepse praktika po na tregon që diferencat mes skuadrave janë gjithnjë e më të vogla. Dhe ky vend i parë i Francës kalon nga përballja me Shqipërinë. Francezët nuk e diskutojnë fitoren. Pikërisht ky nënvleftësim i tyre, nëse mund ta quajmë të tillë, na vë ne në pozicion komod për të tentuar gjithçka. “Gjelat” kanë harruar siç duket që në dy ndeshjet e fundit ne i kthyem në “pula”. Natyrisht, ato dy ndeshje ishin miqësore. Por treguan që Franca nuk e dominon më Shqipërinë si në kohën kur e drejtonte Michel Platini…

Kapiteni ynë Lorik Cana nuk do ta luajë nesër ndeshjen e tij të madhe. Ky është futbolli. Ai që e ka shtëpinë vetëm çerek ore me makinë nga stadiumi Vélodrome, do t’u mungojë shumë të gjithëve nesër. Edhe Kombëtares sonë, edhe atyre. Tifozëve të Marsejës, që e kishin idhull ato katër vjet (2005 – 2009) që ai kaloi në gjirin e tyre.

Shtypi francez ka folur gjerë e gjatë për mungesën e kapitenit dhe liderit të kuqezinjve. Didier Deschamps fërkon duart. Francezi harron që ne luajtëm po aq mirë edhe me 10 futbollistë. Didier Deschamps harron që forca e kësaj Shqipërie është grupi.

Gjithçka e përmbledh Mërgim Mavraj: “Mungesa e tij është vërtet e madhe, për vetë faktin që ka një eksperiencë të jashtëzakonshme. Por e pamë kundër Zvicrës, edhe me 10 vetë, edhe pa Lorikun, ne vazhdojmë të japin më të mirën tonë të mundshme. Do ta tregojmë kundër Francës që mungesa e tij nuk mund ta dëmtojë skuadrën tonë dhe përgjigjja jonë do të jetë kolektive”. Franca nuk e llogarit Shqipërinë. Të shohim. Edhe pse Shqipëria ka mundësi të kufizuara, ajo do t’i luajë shanset e saj. Deri në fund. Në fund të fundit, futbolli nuk është shkencë ekzakte.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: