ITALI- Polici Cristian Movio që bashkë me kolegun e tij Luca Scata ndaloi terroristin e Berlinit Anis Amri, ka mundur të kalojë Krishtlindjet në shtëpi me prindërit.
Ai mbeti i plagosur në shpatull por nuk do të shihet si një hero. “Kam bërë detyrën time”, thotë ai.
Shqetësimi i tij është për kolegët që e kanë zëvendësuar: Duhet të punoja për Krishtlindje”.
Ndërkohë rritet alarmi në Itali, për shkak të frikës për ndonjë hakmarrje të mundshme nga ISIS. Ministria e Brendshme nxjerr në terren dy super policët.

KTHIMI NË UDINE
Cristian Movio i përgjigjet pak pyetjeve që gazetari i “Corriera della Sera” ka mundur t’ia bëjë. Në shtëpinë e tij në provincën e Udines polici i plagosur i ka kaluar Krishtlindjet me nënën e tij Daniela dhe babain Giovanni. Nuk ndihet aspak si një hero, ai vuri në zbatim atë që kishte mësuar në Akademi dhe mundi t’i mbijetonte një shkëmbimi zjarri me një terrorist.
Për atë natë nuk thotë gati asgjë, duhet t’ia tregojë versionin e tij gjykatësit që po heton.

FRIKA PËR HAKMARRJEN E ISIS
Në gjithë vendin ngrihet alarmi. Tani policët mund të jenë objektiv i terroristëve, pak a shumë siç ndodhi në Francë. Është hera e parë që një terrorist vritet në Itali dhe padyshim një seksion bëhet shënjestra kryesore. Ne jemi vitrina e shtetit”, thotë Maurizio Vallone, shefi i shërbimit të kontrollit të territorit në Departamentin e Sigurisë Publike për Corriere.

NË SKENË SUPER POLICËT
Më shumë njerëz dhe mjete në dispozicion. Mbi 1800 agjentë dhe 400 mjete më shumë në ditë me një shpenzim që i kalon 100 milionë euro në muaj. Për të garantuar sigurinë do të nxirren në skenë Njësitë operative anti-terrorizëm. “Bëhet fjalë për patrullat e stërvitura nga NOCS që lëvizin me makina të blinduara dhe të armatosur me armë të precizionit të lartë. Janë gjithmonë në terren dhe ndërhyjnë në raste emergjencas”, shpjegon Vallone.

JO AGJENTË CIVILË, MË SHUMË UNIFORMA PËR TË MBROJTUR QYTETARËT
Kundër kërcënimit terrorist nuk do të nxirren më në terren agjentë me veshje civile, përkundrazi. “Të shohësh uniformat shërben për të siguruar qytetarët dhe rrjedhimisht për të shtuar perceptimin e sigurisë. Nga ana tjetër mendojmë se prania e tyre në rrugë është një instrument për të tërhequr kërcënimin dhe për të hequr vëmendjen nga qytetari i pambrojtur”, shton Vallone.

GATI PËR TË ANULUAR EVENTET PUBLIKE
Do të jenë manifestime publike, si koncertet në sheshe që do të vihen kryesisht nën mbikëqyrje. Nëse nuk respektojnë indikacionet e dhëna nga Ministria e Brendshme mund edhe të anulohen. “Filtrimet”, domethënë analizimi i personave që do të marrin pjesë dhe barrierat anti-kamion do të jenë elemente thelbësorë për të dhënë dritën e gjelbër për mbajtjen e aktiviteteve publike.

POLICËT NË SHËNJESTËR
Zyrtari italian, Vallone nuk e fsheh, që pas vrasjes së Anis Amri në Sesto San Giovanni, policët janë bërë objektivi primar: “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të marrim të gjitha masat e duhura për vetëmbrojtje. Nuk është një rastësi nëse qarkoret e prefektit Gabrielli përfshijnë edhe mënyrat e ndërhyrjes për personelin jashtë shërbimit. Ne kemi besim në profesionalizmin e personave që janë me shërbim në terren, njerëzit tanë kanë nivelin më të lartë të trajnimit”, përfundon Vallone.

(Përktheu: Miranda Kastrati/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb