Sfida mjaft përcaktuese në rrugën për titull kampion, ajo mes Kukësit dhe Partizanit e cila do të luhet ditën e diele në orën 14:00, është ndezur jashtëzakonisht shumë. Si fillim tekniku i verilindorëve, Ernest Gjoka, deklaroi dje për “sportnews” se asnjë rezultat tjetër përveç fitores nuk do t’i bëjë punë skuadrës së tij, duke nënkuptuar se “Zeqir Ymeri do të jetë një “ferr” për të kuqtë”.

Sot, drejtori i klubit të Partizanit, Genc Tomorri, ka pranuar sfidën e teknikut kuksian në distancë si dhe përcaktuar qartë motivacion se përse do të udhëtojnë të dielën në “Zeqir Ymeri”. Tomorri në një intervistë ekskluzive për “sportnews” në “news 24” është shprehur se Partizani në këtë sfidë do të thyejë Kuksianët për herë të parë në kampionat si dhe do t’i tregojë se të kuqtë do të jenë një kockë e fortë deri në javët e fundit.

Një merak për Tomorrin ishte arbitrimi. Ai i bëri thirrje federatës për të marrë masat si dhe të tregojë përgjegjshmëri në këtë moment delikat për kampionatin.

“Mbas ndeshjes derbi që e kaluam me sukses duke zhvilluam edhe një ndeshje të mirë, duke ditur këtu që ndeshjet derbi jan të paparashikueshme dhe ne morëm 3 pikë, 2 të tjera i rikuperuam pas barazimin të Kukësit në Laç, shkojmë më të qetë në këtë takim. Sfida e të dielës them që është një ndeshje e vështirë duke parë që Kukësi është kryesues e mbi të gjitha nuk ka humbur asnjë ndeshje në kampionat, po padyshim që shkojmë me synimin tonë për të marrë kampionatin, se për të vazhduar që të udhëheqësh kampionatin duhet të fitosh me ekipet e forta siç bëmë me Tiranën apo me Skënderbeun, kështu që them se ekipi është i plotë dhe shkojmë në Kukës për tre pikët”.

Duke pasur parasysh situatën të ngarkuar sa i takon deklaratave për aleanca apo për gjykime të padrejta, sa i druheni këtyre problemeve në Kukës?
Gjykim është vendimtar në ndeshje direkt. Shpresoj te një gjykim shumë i mirë dhe federata duhet të marrë masat e saj sepse kampionati po shkon drejt fundit, federata duhet të jetë e para që të tregojë që secili të marrë atë që i takon.

Nga rivalët në deklaratën e fundit për shtyp, trajneri Ernest Gjoka, është shfaqur shumë i bindur tek forca sulmuese e skuadrës së tij dhe duke qenë se po luajnë dy lojtarë shumë të spikatur sa i takon golave, Pero Pejiç dhe Kaleb Ekuban, besoni se do të jetë peshorja e sulmit nga krahu i Partizanit kësaj here?
Kjo sepse janë të dy edhe Ekuban edhe Pejiç sulmues shumë të mirë që e kanë treguar veten në ndeshjet brenda edhe jashtë. Këtu tregohet edhe forca ekipit sepse një ekip i mirë duhet të ketë edhe një sulmues të mirë, e kjo mund të jetë një sfidë midis Ekuban dhe Pejiç.

Sa e ndikon paraqitjen e Partizanit fusha e “Zeqir Ymerit” duke e llogaritur që është sintetike por edhe përmasat nuk janë ato me të cilat Partizani luan zakonisht?
Ajo është një fushë me barë sintetik me përmasa pak më të vogla sesa përmasat e stadiumeve të tjera , them se mund të jetë një avantazh i vogël i Kukësit.

Mendoni se ka ardhur koha që Kukësi të pësojë humbjen e parë në kampionat?

Padyshim që përveç Partizanit, sepse as Skënderbeu nuk e ka bërë, ne mund të jemi të vetmit që mund ta thyejmë Kukësin në këtë kampionat.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb