Nga Klodiana Lala, Klodiana Haxhiaj*

Enver Stafuka, i cili dy vjet më parë u dyshua si një ndër personat që ka vjedhur makinën tip “BMW”, me të cilën u vra ish-komisari Dritan Lamaj, është rrëmbyer mbrëmjen e së dielës në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit dhe nga ajo lokale bënë me dije se 48-vjeçari, person me precedentë të mëparshëm penalë është rrëmbyer nga katër persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë qenë të armatosur. Mësohet se denoncimi për zhdukjen e babait të katër fëmijëve është bërë nga vëllai i tij, Naim Stafuka nga fshati Larushk i Krujës. Sipas këtij të fundit, autorët e krimit kanë qenë të veshur me jelekë policie.

Menjëherë pas kallëzimit, forca të shumta policore kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të agresorëve. Mbi 20 persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje. Sipas bluve, Enver Stafuka ka qenë duke pirë në një lokal në Fushë-Krujë dhe sapo ka dalë në rrugë është përballur me katër persona, të cilët e kanë futur atë forcërisht në një makinë. Burime nga grupi hetimor deklaruan për GSH se “nuk bëhet fjalë për pengmarrje mbi baza shantazhi për vlera monetare. Nuk ka lidhje me paratë. Pengmarrësit nuk kanë marrë në telefon dhe të kenë kërkuar para te fëmijët apo tek i vëllai, kundrejt garancisë për jetën. Jemi të bindur se Stafuka ka qenë në vëzhgimin e pengmarrësve”.

Hetuesit kanë hapur dosjen penale të Enver Stafukës, i cili rezulton të ketë qenë katër herë i dënuar në periudha të ndryshme kohore. Stafuka ka vuajtur dënim për grabitje me armë me dhunë, falsifikim dokumentesh, vjedhje automjetesh dhe trafik narkotikësh. Po sipas hetuesve, dyshohet se 48-vjeçari është marrë peng për shkak të kaluarës së tij kriminale. Një nga pistat e hetimit është dhe ajo e përfshirjes së tij në vrasjen e Dritan Lamajt.

Ndërkohë, Naim Stafuka, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ka treguar me detaje rrethanat e rrëmbimit të vëllait të tij.

Zoti Naim, sipas policisë ju keni denoncuar rrëmbimin e vëllait tuaj. Mund të na thoni si ka ndodhur ngjarja?

Në orën 23:00 të së dielës unë kam denoncuar në polici rrëmbimin e vëllait tim, Enverit. Ai është rrëmbyer në orën 19:46 minuta në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Ka qenë duke pirë kafe në një lokal, përballë lokalit që ne kemi në pronësi, kur i janë afruar katër persona të armatosur dhe të veshur me jelekë policie. Në orën 23:00 të së dielës unë kam denoncuar në polici rrëmbimin e vëllait tim, Enverit. Ai është rrëmbyer në orën 19:46 minuta në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Ka qenë duke pirë kafe në një lokal, përballë lokalit që ne kemi në pronësi, kur i janë afruar katër persona të armatosur dhe të veshur me jelekë policie.

Çfarë ka ndodhur më pas?

Ata i kanë vënë armën në kokë, ndërsa Enveri ka kundërshtuar. Më pas katër rrëmbyesit i kanë vënë prangat dhe me dhunë e kanë futur në makinë. Bëhet fjalë për një automjet tip “Golf”, ngjyrë gri me targa të Tiranës, ndërsa numrat nuk shquhen mirë. Asnjë prej personave nuk i identifikojmë.

Jeni i sigurt se ngjarja ka ndodhur pikërisht kështu, pasi flitet se mund të jetë inskenim?

Këto që ju dëshmova i kam thënë në polici. Mbaj përgjegjësi për këto që them. Gjithçka, konfirmohet edhe nga kamerat e sigurisë së një ambienti biznesi që ndodhet përballë dyqanit tim në Fushë-Krujë, të cilat ia kemi dorëzuar policinë dhe i ka ekspertuar policia edhe në praninë tonë.

Mendoni se mund të kenë qenë vërtetë policë dhe mund ta kenë shoqëruar vëllain tuaj, pas dyshimeve për përfshirjen në ndonjë vepër penale?

Jo, pasi policia bëri verifikime. Nuk rezulton të jetë i shoqëruar në ndonjë komisariat dhe as i dyshuar për ndonjë vepër penale.

Ku dyshoni?

Nuk kemi asnjë dyshim. Vëllai im punonte si taksist dhe nuk kishte probleme.

Më herët, vëllai juaj ka qenë i dyshuar për vjedhjen e një makine që u përdor në vrasjen e ish-komisarit Dritan Lamajt. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Ai u akuzua dhe bëri disa kohë burg, por më pas doli i pafajshëm. Ne nuk dimë ku ta drejtojmë gishtin.

A ka dëshmuar vëllai juaj në procesin ndaj Arben Frrokut?

Jo, nuk ka dëshmuar.

Ndiheni të kërcënuar ju dhe familja juaj?

Ne, jo. Nuk i kemi bërë keq askujt.

Po Enveri ka familje?

Po, ka familje. Është baba i katër fëmijëve. Nuk di çfarë të them më shumë, por kërkoj të hidhet dritë mbi këtë ngjarje.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb