Nga Erdal SIMSEK
Arakanin (Rakine) dhe komunitetin pakicë të myslimanëve rohingianë në këtë shtet federal të Republikës së Bashkimit të Mianmarit (Birmani) i kam njohur në fillim të viteve 2000. Asokohe, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve raportonin mbi krimet e bëra nga junta në Mianmar kundër lirisë së mendimit dhe demokracisë në vend. Kështu, siç ma kërkonte puna, mora rrugën drejt Mianmarit. Vendi udhëhiqej me juntë, por, për hir të së vërtetës, nuk jam përballur me presione shumë të mëdha gjatë punës dhe aktivitetit tim si gazetar. Madje kemi arritur të gjejmë edhe rrugët për një intervistë me presidenten faktike (de facto) të sotme, Aung San Suu Kyi, që në ato vite mbahej në arrest shtëpie.

E prezantuar nga Perëndimi si heroinë e demokracisë, zonja Kyi, realisht, ishte nën ndikimin e theksuar të konceptit nacional-socialist, rrymë e njohur më gjerë si e majta nacionaliste apo nazizëm. S’dihet arsyeja, por vendet perëndimore e neglizhonin këtë fakt; edhe pse vetë Perëndimi ishte viktima më e madhe e sëmundjes së quajtur e majta nacionaliste.

Një ideologji politike e filluar nga Adolf Hitleri në Gjermaninë e viteve 1930, nacional-socializmi u mori jetën miliona njerëzve në Evropë dhe botë.

Epidemia naziste po fanitet sërish në të gjithë Evropën. Në Gjermani, diskursi, retorizmi dhe mendimi nacional-socialist po përhapet gjithnjë e më shumë jo vetëm në radhët e socialdemokratëve, të gjelbërve dhe grupeve të majta, por edhe midis të djathtëve.

Po të krahasoni deklaratat e fushatës elektorale të Kancelares Angela Merkel në ditët e sotme me tekstet e fjalimeve të Hitlerit, jam i bindur se ngjashmëritë mes tyre do t’ju tronditin fortë edhe juve. I njëjti mendim i sëmurë, fatkeqësisht, është duke u përhapur hap për hap edhe në shtetet e tjera evropiane. Prandaj Evropa Perëndimore dhe në veçanti Bashkimi Evropian, që lëvdohen, mburren e trumbetojnë se janë “djep i demokracisë dhe trashëgimtar i qytetërimit perëndimor”, nuk e shohin dhe s’mund ta shohin masakrën sistematike dhe gjenocidin shtetëror në Mianmar.

Vallë cili mund të jetë motivi që Evropa dhe BE-ja heshtin për këtë gjenocid të sotëm të Mianmarit, kur në fillim të viteve 2000 i ngulte thonjtë në grykë pse njerëzit nuk shprehnin dot pa frikë mendimin e tyre? A do të bëjë Komiteti i Nobelit, i cili ka një vend të respektuar në mbarë botën, ndonjë takim të jashtëzakonshëm rreth çmimit që i ka dhënë dikur lideres de facto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, urdhërdhënëse e masakrës në fjalë?

Qasja raciste dhe dallimet ideologjike, sociale e kulturore, të cilat qëndrojnë pas incidenteve në qytetin Charlottesville të shtetit Virgjinia, SHBA, janë në të vërtetë pasqyrim i rrënjëve historike në ditët e sotme…

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kërkoi nga qeveria e Bangladeshit që t’i pranojë myslimanët rohingianë si refugjatë duke i bërë të ditur opinionit publik botëror gjithashtu se Turqia do të mbulojë të gjitha shpenzimet e këtyre refugjatëve. Ndërkohë që menjëherë nën hundën e rohingianëve ndodhen Malajzia dhe Indonezia, dy shtete ku myslimanët përbëjnë shumicën dhe janë dominues. Jashtëzakonisht e turpshme për islamin dhe myslimanët është po ashtu heshtja gati shurdhuese e vendeve të Gjirit, të cilat renditen mes ekonomive më të fuqishme të botës.

Rohingianët formojnë komunitetin pakicë më të madh në botë “pa shtetësi”. Ata janë plotësisht të privuar nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. S’mund të nxjerrin as kartë identiteti për fëmijët e tyre, as mund të pajisen me pasaportë për të marrë arratinë dhe as kanë ku të gjejnë një gjykatë për të kërkuar të drejtat e tyre. Atyre u mohohen të gjitha këto të drejta prej tashmë 60 vitesh, nga dita që Mianmari shpalli pavarësinë e deri më sot.

Befasisht, në rajonin e banuar nga myslimanët që me vështirësi të mëdha sigurojnë madje dhe bukën e gojës, u shfaq një organizatë e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Arakanit” (ARSA) dhe e pajisur me armë mjaft të shtrenjta. Dhe, si për çudi, “modus operandi[HV1]” i saj është kaq i ngjashëm me atë të organizatës terroriste me orgjinë perëndimore, DAESH! Kjo organizatë duket se gjoja po lufton me ushtrinë e Mianmarit, por, kështu apo ashtu, ata që vdesin janë gjithmonë civilët. Nuk ka as edhe një terrorist të vdekur apo të kapur të gjallë deri më tani.

Sikurse në konfrontimet e fundit, koston më të madhe e paguan dhe vazhdojnë ta paguajnë sërish civilët. Të paktën 3 mijë myslimanë të Arakanit gjetën vdekjen. Ushtria vazhdon të rrisë intensitetin e dhunës duke bastisur e djegur gati çdo ditë 20 fshatra. Megjithatë është e pamundur të japim shifra të sakta. Më herët ishte bërë e ditur se numri i viktimave ndryshonte nga 2 deri në 3 mijë veta që nga fillimi i luftimeve, por ky bilanc, edhe pse i kobshëm edhe aktualisht, është vetëm ai që është arritur të përcaktohet.

Prapëseprapë as ky bilanc nuk reflekton të vërtetën. Sepse, pak ditë më parë, agjencitë e pavarura të lajmeve raportuan masakrimin e rreth 1 mijë e 500 personave vetëm në disa fshatra të lokalitetit Buthidaung. Në fshatin më të madh të asaj zone, numri i të mbijetuarve ishte vetëm 400. Më pas edhe këta i kishin djegur për së gjalli.

Sistematika e masakrës që po kryhet nga ushtria birmane, është kjo: Në fillim, ushtarët hyjnë në fshatra me armë zjarri dhe palla. Ata vrasin sa më shumë njerëz që munden. Ushtarët ndihmohen nga budistët gjithashtu. Të mbijetuarit përpiqen të arratisen, por këtë herë bëhen shënjestër e minave, të cilat ushtria i vendos më herët përreth fshatrave. Ushtarët po ashtu zënë pusi. Ata godasin me raketa të arratisurit. Pastaj u vënë zjarrin fshatrave. Në shumicën e të plagosurve konstatohen djegie të shkallës së tretë.

Evropa dhe Lindja e Mesme, dy anë të botës në përgjithësi dhe të Turqisë në veçanti, janë kthyer tashmë në fushë veprimi të terrorizmit të gjeneratës së re. Terroristët ose u turren civilëve me një automjet, ose kryejnë sulme me thika si hashashinët…
Sot, rreth 70-80 për qind e myslimanëve të mbijetuar në Mianmar janë gra e fëmijë. Pjesa dërrmuese e të rinjve dhe burrave në zonat e quajtura Maungdaw e Buthidaung janë arratisur në Bangladesh e Malajzi. Gratë dhe fëmijët janë ata që kanë mbetur nëpër fshatra. Rrjedhimisht, ata janë edhe viktimat më të mëdha të dhunës.

Maungdaw është shumë afër kufirit të Bangladeshit. Banorët e kësaj zone po arratisen drejt kufirit. Por shteti i Bangladeshit, i cili në Arakan ka shumë bashkëkombës, nuk e hap kufirin. Ekziston një zonë neutrale dhe ka shumë që gjejnë strehë atje. Kurse të arratisurit nga zonat larg kufirit fshihen nëpër pyje, sepse s’ka vend tjetër ku të shkojnë.

Rohingianët, që shkojnë në kufi, shtyhen në thellësi të Mianmarit nga ushtria bengale, ndërkohë që aty bëhen pre e zjarrit kuturu të ushtrisë birmane.

Është e turpshme për njerëzimin që asnjë vend tjetër përveç Turqisë nuk e ngre zërin për këtë brutalitet. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, bëri përpjekje gjatë tërë festës së Kurban Bajramit për të ndalur në nivel ndërkombëtar këtë masakër duke i thirrur të gjithë liderët botërorë një nga një.

Do të doja shumë të uroja dhe kërkoja që Kombet e Bashkuara të ndërmarrin hapa seriozë sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndalur këtë masakër. Por ende nuk ka shenja se gjakderdhja mund të ndalet në rajonin në fjalë, ku disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së po luftojnë për pushtet.

Nëse këto shpenzime do të bëheshin jo për luftë, por për paqen dhe eliminimin e problemit të urisë, atëherë planeti ynë do të bëhej më i jetueshëm. Kështu s’do të derdhej asnjë pikë gjaku dhe loti…
Udhëheqësja e papërvojë e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, nuk është e vetëdijshme se ky gjenocid, që ajo vetë ka nisur, e ka bërë vendin e saj një arenë për peshimin e forcave dhe qërimin e hesapeve. Dhe, kur ajo të ndërgjegjësohet, më duket se do të shkruajmë lajme për vdekjen e budistëve, që sot po vrasin myslimanët.

Në komentin e radhës do të përpiqem të shpjegoj pse Arakani dhe Mianmari janë shpallur fushëbeteja të reja?!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: