Kombëtarja Shqiptare e Femrave është mundur me rezultatin e thellë 6-0 nga ekipi Kombëtar i Femrave të Francës. Shqipëria është shfaqur shumë e vogël përballë rivaleve franceze në sfidën e zhvilluar në stadiumin, “Qemal Stafa”.

Përfaqësuesja franceze ka diktuar të gjithë lojën në Tiranë, në ndeshjen e vlefshme për turin e tretë të grupit të tretë të kualifikuesve për Europianin, që do të zhvillohet në vitin 2017. Sfida mes dy kombëtareve u zhvillua në një atmosferë të ftohtë, kjo jo vetëm për shkak të temperaturave të ulëta, por dhe mungesës së tifozëve në shkallët e stadiumit, pavarësisht masave të shumta të marra nga Policia e Tiranës për çështje sigurie.

Ndeshja nisi me skuadrën mysafire në sulm. Francezet treguan që në prekjen e parë të topit agresivitet, duke i’a vështirësuar jetën vajzave shqiptare. Ndeshja u përqendrua në gjysëm fushën tonë. Mbrojtja dhe mesfusha kuqezi treguan brishtësi të madhe, duke rënë preh e panikut gjatë presionit të francezeve dhe duke bërë gafa amatoreske.

Loja jo e mirë e vajzave tona dhe forma e shkëlqyer e vajzave nga Franca i dha mundësi mikeve të çojnë rezultatin në 3-0 brenda 25-minutave të para. Golin e parë e shënoi Houra D’ Hommeaux në të 12-ën përmes një goditje spektakolare nga hyrja e zonës. E njëjta lojtare do të shënonte tri minuta më vonë golin e dytë, kësaj rradhe me kokë. Goli i tretë do të shënohej në minutën e 25’ dhe autore kësaj rradhe do të ishte Le Sommer, e cila do të ishte dhe autorja e golit të fundit të takimit, golit të gjashtë, në minutën e 81’. Golin e katërt dhe të pestë do ta shënonte Le Bihan, gjatë zhvillimit të pjesës së dytë, konkretisht në minutat 63’ dhe 73’.

Kjo fitore e ngjit Francën në kuotën e 9 pikëve me tre ndeshje të fituara, teksa Shqipëria ka tre humbje në tre ndeshjet e para.

(g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb