TIRANË- E qeshur dhe e gëzuar pas daljes nga katedralja ‘Ngjallja e Krishtit”, ministrja e Kulturës bën një gafë, duke ngatërruar Pashkët me Krishtlindjet.

“Është një ditë shumë e bukur sot, Gëzuar Krishtlindjet…”, tha Kumbaro.

Në krahë të saj ishte ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, i shumëpërfolur si kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, i cili nuk nguroi ta korrigjonte, duke i treguar Kumbaros se sot kremtohen Pashkët. Bashkë me ta për të përcjellë urimet e kësaj feste ishte edhe ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Ajo vijoi fjalën e saj duke përcjellë mesazhin e partisë Socialiste: “…dita e Pashkëve, gëzuar Pashkët! Janë të gjitha ditë gëzimi, të gjitha festa që tregojnë që ne jemi të gjithë bashkë. Ditë më të bukur se kjo me diell për të qenë bashkë në të gjitha festat, pavarësisht nga origjinat tona fetare, është gjëja më e bukur që kanë shqiptarët. Në emër të qeverisë shqiptare, ne të tre ju urojmë të gjithëve gëzuar, besimtarëve dhe atyre që besojnë tek dielli, natyra, Perëndia dhe gjithçka të bukur që na ka falur Shqipëria”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: