TIRANE- Rreth 5 mijë vepra arti do i nënshtrohen procesit të dezinfektimit kundër insekteve dhe parazitëve. Galeria Kombëtare e Arteve njofton se ky proces do të përfshijë të gjitha mjediset e saj, por me shumë rëndësi ky proces është parë për rrezikun e rreth 5 mijë veprave të artit që ruhen në fond.

Alarmi për rrezikun e veprave të fondit të GKA, cilësuar si pasuri kombëtare, është dhënë prej kohësh nga institucioni, duke kërkuar dhe vëmendjen nga Ministria e Kulturës. Kërkesa e GKA për buxhet dhe rreziku i veprave të fondit nuk pati vëmendje nga MK, proces që do të kryhet nga një donator privat. Është hera e parë që GKA mbyllet gjatë kësaj periudhe, por siç njofton vetë institucioni procesi do të zhvillohet për disa ditë dhe konsiderohet shumë i rëndësishëm për vetë institucionin dhe pasurinë e veprave të artit, që ruan në fond dhe rrezikohen nga insektet.

“Galeria Kombëtare e Arteve do t’i nënshtrohet dezinfektimit. Ky proces, i pari i këtij niveli, do të përfshijë të gjitha mjediset, sallat, dhe hapësirat e saj dhe konsiderohet më se i domosdoshëm për institucionin në këto momente”, thuhet në njoftimin zyrtar të GKA.

Më tej institucioni në njoftimin zyrtar bën me dije se ky proces do të kryhet brenda të gjitha standardeve, ndërsa do të jetë data 6 shtator kur do të përfundojë, dhe deri në këtë datë institucioni do të jetë i mbyllur për vizitorët. “Dezinfektimi do të kryhet brenda të gjitha standardeve specifike dhe profesionale dhe në këtë proces do të përfshihet mbi të gjitha fondi i GKA, ku ruhen rreth 5 mijë vepra arti dhe ku nevoja për dezinfektim kundër insekteve dhe parazitëve është më e madhe”, bën të ditur GKA.

Ndërkaq që gjatë muajit gusht, Galeria Kombëtare e Arteve prezantoi për publikun dy ekspozita të përkohshme, “Strategji dhe Taktika” ekspozitë e videoartit sllovak, dhe “Lapidarë dhe monumente” nga fotografi australian Robert Hackman. Në muajin shtator kur të mbarojë dhe ky proces, në GKA do të prezantohet një ekspozitë tjetër, që vjen në vijim të punëve dhe krijimtarive në art, që kanë ekspozuar artistë shqiptarë dhe të huaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb