Armando Duka flet për kandidaturën e tij për një mandat të pestë në krye të FSHF-së. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ai tha se “kjo është një periudhë normale, nuk do ta konsideroja fushatë. Kam të njëjtat takime, me të njëjtët miq”.

Fino akuzon se gara është e padrejtë. Pse nuk zbardhet lista me delegatët?
Kam parë që Fino ka bërë një kërkesë për delegatët në Asamble. Pak a shumë dihet se kush do jetë. I kam kërkuar sekretarit Shulku që të gjithë ta kenë listën e delegatëve. Nuk e konsideroj deformim gare. Afati ka qenë deri dje për listën e delegatëve.

1 dekadë e gjysmë në krye të FSHF, pse mendoni se vetëm Zoti ju ndalon të kandidoni?
Nuk mendoj se mund ta bëj vetëm unë. Mund të ketë shumë më të aftë, por duhet të kenë programin e tyre. Unë mendoj se e njoh shumë mirë, në këto 16 vite jam rritur unë, federata dhe i gjithë komuniteti. Kam marrë shumë eksperiencë, nuk mendoj se jam i vetmi, por më i mirë.

Arritja më e madhe…
FSHF ka bërë shumë hapa përpara. Gjëja më e rëndësishme është konsolidimi i institucionit, që nga infrastruktura deri tek e gjitha si organizatë. Është ndryshuar infrastruktura në të gjithë Shqipërinë. Më parë FIFA dhe UEFA nuk financonin shumë para në Shqipëri, ndërsa tani po hedhin shumë para këtu.

Ne kemi filluar të liçensojmë trajnerë, teksa më parë nuk dihej se ku mund të bëhej shkolla e trajnerit. Liçensa që sot jep FSHF njihet në të gjithë botën. Më parë ka pasur vetëm një kampionat, sot i kemi të gjitha nivelet, të gjitha zonat dhe rajonet. Kampionate për të gjitha moshat. Kemi filluar futbollin e femrave, diçka e vështirë në Shqipëri. Kemi ekipe kombëtare me moshat e femrave.

Kemi rritur numrin e njerëzve dhe të fëmijëve që luajnë futboll në Shqipëri. Gjithashtu, kemi rritur edhe përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, edhe me kalimin e tureve të ekipeve të Superiores në kupat e Europës.

Çfarë merite keni tek kualifikimi i Kombëtares…
Unë nuk e mendoj si diçka individuale. Është diçka kolektive, aq më pak ta mendoj këtë në futboll. Kam bërë mirë pjesën që më takon si president, por ka qenë një punë e lojtarëve, stafit teknik, e gjithë administrata e FSHF.

Shqipëria nuk duhet të krenohet me arritjen në Europian, duke mos shkuar me produkt nga kampionati shqiptar
Ne kemi vetëm futbollistë shqiptarë, jo të huaj. Kemi marrë kritika kur nuk kemi marrë ndonjë talent që luan për Zvicrën, ndërsa sot kemi marë merita për këto lojtarë që i kemi afruar në Kombëtare.

A nuk duhet të ketë FSHF një sjellje tjetër pas krijimit të kombëtares së Kosovës
FSHF jo vetëm që nuk i mbyll dyert lojtarëve të rritur në Kosovë, por i mirëpresim. Nëse është rritur në Kosovë, mund të rrijë atje, por nëse i pëlqen të vijë në Shqipëri, mund të kontribuojë për Shqipërinë.

Sekretari i federatës së Kosovës ishte i irrituar për talentet…
Nuk kemi mosmarrëveshje me Kosovën. Kemi kontribuar në Kosovë për të rritur futbollin, si dhe të njihet në arenën ndërkombëtare.

Çështja e stadiumeve një fasadë? Terrenet e fëmijëve janë shumë keq…
Në vitet ’90 gjithçka është shkatërruar. Kemi bërë vetëm rindërtimin e disa terreneve sportive. Federata kurrë nuk do ketë mundësi të investojë për aq fusha sa ka nevojë Shqipëria. Tirana ka rreth 130 skuadra fëmijësh, dhe duhen minimalisht 50 fusha futbolli. Sukses do ishte nëse qeveria do bënte kaq sa ka bërë 4 vitet e fundit për terrenet sportive. Federata e ka pasur të pamundur e vetme.

Sa është investimi i federatës në stadiumet?
Në Elbasan Arena investimi ka qenë 50:50, investimi total ka qenë rreth 6 milionë euro. Në Shkodër investimi i federatës ka qenë rreth 5 milionë euro, ndërsa në Arenën Kombëtare, i gjithë investimi ka qenë i federatës.

Me 5 milionë euro nga stadiumi i Shkodrës, mund të përdoreshin për 40 fusha sportive…
Shqipërisë i nevojiteshin ato dy stadiume. Do duheshin edhe 40 fusha sportive, patjetër, por Shqipëria nuk do luante dot më në vendin tonë.

Dinamo…
Dinamo, ashtu si çdo klub duhet të ketë kompleksin e saj. Edhe tani, ai kompleks nuk ishte i Dinamos. Ai administrohej nga ministria. Nuk është faji im që nuk ekziston më Ministra e Brendshme.

Fino tha që do bëj edhe 5 stadiume të tjera. Keni parashikuar gjë për stadiumet?
Ne kemi planifikuar se ç’mund të bëjmë në 4 vitet e ardhshme, në bashkëpunim me bashkitë apo me qeverinë. Ne mund të rikonstruktojnë edhe 2 stadiume të tjera. Mund të pajisim stadiumet e Superiores me drita. Ndërtimin e fushave për stërvitje me bar natyral. Kemi menduar të ndërtojmë 70 mini-fusha për fëmijët, fusha për të verbërit.

Federata përflitet për ndikim në garë…
Federata është thjesht organizatore, dhe menaxhojnë garat po ato arbitra dhe ish-lojtarë në Shqipëri. Gabojnë të gjithë, arbitrat, trajnerët, lojtarët. Mos të pretendojmë që nuk do ketë gabime. Niveli i lojës, niveli tekniko-taktik është rritur, po ashtu është rritur edhe organizimi nga klubet dhe nga vetë federata.

Ishte premtim i juaji 4 vite më parë krijimi i Ligës. Pse nuk është krijuar?
Federata ka marrë iniciativën që klubet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë. Liga mund të krijohet, por arbitrat do të jenë po ato. Arbitrat i cakton një komitet i caktuar. Liga nuk do ndryshojë nivelin e gjykimit. Liga duhet të bashkojë interesat e klubeve, për ta promovuar më shumë dhe të përfaqësojë interesat e të gjithëve.

Pse nuk ka një sponsor Superiorja?
Të gjithë klubet kanë sponsorë, në bluzë apo në tabela rreth fushës. Por, nuk ka një sponsor për emrin e Superiores. Shifrat që kanë ofruar kompanitë janë të papërfillshme për emrin e Superiores. Është propozuar një paketë, por nuk ka ndonjë ofertë serioze.

Presidenti i FSHF është bashkë-aksioner i një sponsori të një ekipi të Superiores? Konflikt interesi?
Unë jam aksioner në disa biznese, por nuk administroj asnjë. Të sponsorizosh një ekip futbolli, nuk ka asnjë të keqe.

Kompania Plus që jeni aksioner ka qenë sponsor i Kombëtares?
Nuk ka asnjë konflikt interesi. FSHF ka marrë para. Gara ka qenë e hapur, dhe ka marrë maksimumin për atë kohë. Unë kam qenë një aksioner në minorancë.

Politika…
Një eksponent i lartë i Partisë Socialiste është përfshirë në garë dhe ka politizuar garën. Kjo ka bërë që antarët e Partisë Socialiste të bëjnë tifozllëk që sekretari i Partisë Socialiste të fitojë zgjedhjet në FSHF. Është ndërhyrje e politikës, dhe sot në vitin 2018, nuk kemi arritur ta zhdukim. Çfarë do ministri i jashtëm, Ditmir Bushati që i bën presion votuesve të Shkodrës e iu tregon për kë të votojnë në FSHF. Pse bën Vangjush Dako presion në Durrës? Ja që ka ndërhyrje të politikës në zgjedhje.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/duka-flet-per-nderhyrje-te-politikes-ministra-te-partise-socialiste-u-bejne-presion-votuesve/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: