TIRANË- 6 kandidatët për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit shpalosin platformën e tyre për menaxhimin e kryeqytetit në një forum me temë “Sfidat dhe mundësitë për Tiranën”, të iniciuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në bashkëpunim me revistën Monitor. Pikërisht ky forum shërbeu që dy kundërshtarët kryesorë, në garën për Tiranën, të shtrëngojnë duart me njeri-tjetrin.

KOSOVA: TAKSA E BIZNESIT TE VOGEL T’I KTHEHET BASHKISE
I pari në listë, kandidati i APPD-së, Halim Kosova foli për mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës si dhe thithjen e investitorëve.

“Unë ndaj bindjen se menaxhimi është talent që lind dhe zhvillohet, të cilin unë e kam treguar si dhe shumë të tjerë, që kemi ditur ta vëmë në zbatim për qytetarët e Tiranës. Punësimi është kryefjala e problemeve të gjithë familjeve, që nga Bashkia aktuale aq më tepër në vizion tim është përqendrimi si të hapim më shumë vende pune…E kam deklaruar se në krye të bashkisë do ketë ulje të taksave me 30%..Një nismë të mirë do ndërmarrim duke krijuar një fond garancie prej 2.5 miliardë dollarë si garanci, përllogarisim ta çojmë më 5 mld euro për idetë dhe projektet e bizneseve. Çdo ëndërr e biznesit të bëhet realitet”,- tha ai.

Në lidhje me bizneset, Kosova tha se atyre duhet t’ju krijohen lehtësirat e nevojshme për të mos gjetur mundësinë e tregjeve të tjera në rajon, që iu ofrojnë taksa më të ulëta.

“Për sa i takon kësaj klime për të hapur bizneset apo kompani multinacionale kuptohet që kërkojnë një legjislacion të përshtatshëm. Të minimizohen burokracitë, të ketë trajtim të barabartë, plane të barabartë…Klimë më miqësore për biznesin, se biznesi është një sektor me rëndësi, ti ofrojmë çfarë kërkon”.

Kosova nuk nguroi të sulmon edhe Ramën për taksën e biznesit të vogël, duke thënë se aq shumë i pëlqente sa e kërkoi kur ishte kryebashkiak dhe kur u bë kryeministër e mori me vete.

“Luftoi Rama për taskin e biznesit të vogël dhe shumë mirë bëri, por kur shkoi kryeministër me vete mori dhe këtë taksë…Kur kjo taksë mblidhet nga qeveria kjo do të thotë se rruga që kjo të vijë tek mua zgjatet, ndërkohë që kjo taksë i takon qytetit të Tiranës..Kjo mund të përdoret dhe si presion dhe si pengesë, por nuk po i hyj kësaj pjese. Kjo taksë duhet ti kthehet qytetit të Tiranës. Duke i ulur në 30% taksat është përllogaritur se edhe bizneset që kanë falimentuar, mbi 5 mijë biznese në 2 vjet do i japim një dritë që të rimëkëmben”.

VELIAJ: BRENDA 300 DITËVE PLAN TË MIRFILLTË ZHVILLIMI
Kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj premtoi një plan ndërtimi të mirëfilltë për kryeqytetin brenda 300 ditëve.

“Plani i ndërtimit të Tiranës sot nuk është i mirfilltë. Brenda300 ditësh do ta kemi planin e mirëfilltë të zhvillimit”,- tha ai.

Veliaj më tej premtoi se detyra e tij si kryebashkiak do të jetë pastrimi i Tiranës. “Të kthejmë në normalitet shërbimet jetike, një pamje të një qyteti modest por të pastër. Mund të jemi të rregullt, mund të kemi ndriçimin, pastrimin mund ta bëjmë qytetin tonë më të pastër”.

Veliaj tha se për ndërtimet shumëkatëshe do ketë moratorium, ndërsa do të mbështesë ndërtimet e parkingjeve nëntokësore. “Ata që duan të bëjnë parkingje nëntokë kanë mundësi ta zhvillojnë shumë këtë ide, do fuqizojmë dhe përkrahim shumë projekte të tilla, na bëjnë nder për këtë drejtim”.

Një tjetër projekt i Veliajt, ishte edhe grumbullimi i produkteve bujqësore, pika të tilla sipas kandidatit të ASHE-së duhet të shtohen. “Kemi vetëm 1 pikë të kemi edhe një tjetër në hyrje të Dajtit, një tjetër në Sauk dhe një në Kombinat”.

Një problem i kësaj bashkie, sipas Veliajt është paaftësia për ti mbledhur taksat.

“Të ardhurat nga parkimi janë 5%, bashkia nuk mbledh 95% të tyre, do të thotë se ka falimentuar. Akoma më keq është situata për taksën e taksa pronës apo edhe shtëpive të dyta”.

Ai i quajti mendime populiste premtimet e kandidatit të APPD-së, për reduktimin e taksave me 30%. “Janë mendime populiste ato që thonë se, do ulim këtë do ulim atë. Qytetarët nuk ankohen se paguajnë taksat, por se ajo mblidhet në mënyrë selektive”.

SAZAN GURI:NXITJE PËR BIZNESET E REJA, 2 VITETE PARA TAKSË ZERO

Kandidati i Aleancës Ekologjike Evropiane Sazan Guri theksoi se do të nxisë biznesin e vogël dhe të mesëm. Për dy vitet e para premtoi Guri taksa për bizneset e reja do të jetë zero. Ai theksoi se do të vendosë takë 6 mujore dhe jo një mujore për bizneset.

Më tej ai premtoi se bashkia do të mbështesë idetë novatore. “Tirana vuan mungesën e alternativës për zhvillimin ekonomik të vendit ndaj kemi prurje biznesesh të pa qëndrueshme. Emrat e kompanive janë shumë të lehtë emra fëmijësh. Restorantet kanë emra të çuditshëm nuk kanë përmbajtje historike. Mungesë tjetër është ajo e burimeve njerëzore. Reforma administrative do shoqërohet me reformën ligjore. Kërkohet një reformë ligjore që duhet të shoqërojë reformën administrative. Të gjitha bizneset do i nënshtrohen procesit me pjesëmarrje publike.

Të gjitha bizneset e reja do i nënshtrohen dëgjesës publike. Komisioni qytetar do ndjekë marrëdhëniet të një HEC-i të një TEC-i, ta monitorojë. Do ndërtohen korridore ekologjike. Më vjen mirë që shkolla sazaniane ka shkuar në nivel kandidatësh.”- u shpreh Guri.

ARBEN TAFAJ: DO KRIJOJMË KËSHILLIN PËR BIZNESIN, KONCESION PËR TRAJTIMINE MBETJEVE
Zhvillim të qëndrueshëm dhe integral premtoi për Tiranën Kandidati i pavarur Arben Tafaj . Ai theksoi se do krijohet një këshill për biznesin. Në programin e tij Tafaj theksoi se parashikon dhënien me koncesion të trajtimit të mbetjeve urbane.

“Korporatat e mëdha kanë nevojë për krijimin e infrastrukturës bazë. Do krijojmë këshillin për biznesin. Bashkia do dëgjojë zebrin e biznesit. Kemi disa objektive. Së pari menaxhimi integruar i mbetjeve. Do japim me koncesion trajtimin mbetjeve urbane. Transporti urban me kontrata afatgjata konçesionare. Do ofrojë investime në infrastrukture lokale dytësore dhe tretësore.”- u shpreh Tafaj.

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: