Gazetari i “Panoramës” Trazhgim Sokolaj ka deklaruar mbrëmjen e sotme se hetimi i nisur ndaj kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako ka nisur nga prokuroria më herët se pesë muaj më parë.

Në studion e emisionit “Opinion” Sokolaj tha se hetimi nuk është për zgjedhjet por për grup të strukturuar kriminal do konkludojë me masë arresti nga gjykata.

“Procedimi penal është për grup të strukturuar kriminal, nuk është për zgjedhje. Nuk janë për zgjedhjet. Zgjedhjet kanë dalë dhe përgjimet nuk kanë filluar para 5 muajsh kur ka shkuar materiali në prokurori por shumë kohë më para. Bëhet fjalë për një hetim, i cili shumë shpejt me ç’më thonë do konkludojë me masë arresti në gjykatë. Në qoftë se hetohet objektivitisht”, tha Sokolaj.

I pyetur nga Fevziu se nga e mori vesh opozita, duke iu referuar deklaratës së bërë sot nga kreu i PD-së Lulzim Basha që tha sot se Dako është nën hetim pasi është përgjuar me kriminelë, gazetari Sokolaj deklaroi se kanalet e informacionit janë njerëzore.

“Nuk e di nëse opozita ka dosje për këtë apo jo. Mua më rezulton që kanalet e informacionit kanë qenë njerëzore”, tha Sokolaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb