Përballja me Milanin nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e gazetave italiane për klubin e Shkëndijës. E përditshmja sportive “Gazzeta Dello Sport”, një nga më të mëdhatë në gadishullin apenin, e ka cilësuar Shkëndijën e Tetovës me zemër shqiptare dhe kuqezi.

“Maqedonas dhe shqiptarë, duke qenë se këta të fundit përbëjnë rreth 80% të popullsisë në Tetovë. Klubi është krijuar në vitin 1979, në kohën e Jugosllavisë dhe diktaturës së Titos, prej një ndjenje që ka zgjatur në kohë. Rrugëtimi i kuqezinjve ka vazhduar me ulje-ngritje deri në fund të 2013-s, kur disa emigrantë shqiptarë në Zvicër, njëkohësisht pronarë të grupit ‘Ecolog’, vendosën të investonin te Shkëndija, madje duke bindur edhe Fali Ramadanin që të marrë rolin e drejtorit sportiv.

Milani është skuadra e zemrës për klubin maqedonas: një pasion që rrjedh prej të qenurit shqiptarë, duke qenë se ‘Djalli’ gjithnjë ka patur mbështetje në shtetin ballkanik. Por nuk mbaron këtu: në fillim të viteve ’90, Shkëndija ka luajtur për një periudhë me fanellën e Milanit. Nga Tetova do të vijnë shumë tifozë për të ndjekur nga afër atë që mund të cilësohet si një festë e vërtetë”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb