Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u shfaq mjaft i kënaqur në përfundim të ndeshjes së fituar ndaj Partizanit. Në deklaratën e dhënë pas takimit për “RTSH”, ai tha se kjo fitore vlen më shumë se tre pikë duke qenë se mposhtën në shumë drejtime një rival për titull.

Ndeshja e sotme
“Në gjithë 90-minutëshin ishim shumë agresivë sot, i lamë shumë pak mundësi kundërshtarit që të mbante topin në administrim. Kishim shumë raste para porte dhe ishim mjaft mirë në raport me një kundërshtar që është rival për titull.”

Pikat e dobëta të Partizanit
“Nuk do zbardh elementet profesionale, por kemi punuar shumë në seancat stërvitore dhe e kemi analizuar kundërshtarin, ia dimë pikat e forta dhe të dobëta. Sot vlerësoj më shumë shpirtin e garës për t’i bërë shumë presion kundërshtarit.”

Vlera e tre pikëve
“Janë 3 pikë, por janë dhe 3 pikë të munguara për rivalin, i cili pavarësisht startit jo të mirë, mbetet ekip rival ku është investuar shumë. Në anën psikologjike jemi më mirë sepse kemi mundur në shumë drejtime një rival për titull, por jemi ende në javën e 3-të dhe duhet të gëzohemi sot dhe nesër të ulemi me këmbë në toke sepse ka dhe 33 javë kampionat. Kemi bërë një nisje të mirë të kampionatit përveç pjesës së dytë në Kamëz.”

Soue apo Ekuban?
“Janë të dy lojtarë të mirë, edhe Soue dhe Ekuban. Soue ka një plus që di të veprojë në zona të vogla dhe ka potencial fizik që bën presion shumë lart, ka shpejtësi të mirë dhe është një suport për ekipin. Një lojtar të tillë mund ta shfrytëzosh në disa plane. Më vjen mirë që Soue u çlirua me gol dhe shpresoj të vazhdojë kështu.”

Kthimi në Kukës, disa muaj pas ndeshjes së kaluar ku u vendos titulli kampion
“Gjërat nuk kthehen mbrapsht, do shkojmë në Kukës si kudo. Kukësi është shumë i fortë në shtëpi, por ne do shkojmë për maksimumin, i kemi mundësitë dhe potencialin e duhur. Të luajmë siç luajtëm sot sepse jemi në rrugën e duhur, pastaj nëse do kemi luhatje si në pjesën e dytë me Kamzën, do t’i vështirësojmë gjërat vetë.”/panoramaplus

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: