Pep Guardiola është një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit, pasi trajneri që aktualisht drejton Manchester City-n në 10 sezone ka fituar 23 trofe.

Këto janë statistika individuale të spanjollit por falë tij tani ekziston edhe një teori që e nxjerr Anglinë kampione botë ne Botërorin që do të zhvillohet në Rusi në muajin qershor.

Kjo teori e ka pikënisjen që nga viti 2010. Në atë kohë Guardiola drejtonte Barcelonën dhe shteti përkatës, Spanja, fitoi Botërorin e Afrikës së Jugut. Pas 4 vitesh Pep gjendej në drejtimin e Bayern Mynchen dhe shteti përkatës, Gjermania, fitoi Botërorin në Brazil.

Vazhdimi i kësaj teorie e thotë qartë: tani Guardiola drejton Manchester City-n dhe i bie që Anglia të fitojë Botërorin. Gjithsesi duket se këtë herë ka shumë gjasa të dështojë teoria e numrit 1 të ‘qytetarëve’, pasi ‘tre luanët’ nuk janë as favoritë për të ngritur lart trofeun më prestigjioz të Botërorit.

Por në rast se do të rezultonte e vërtetë atëherë në 2022 do të kishte një ‘luftë’ të madhe mes shteteve që të sillnin Guardiolën nën drejtimin e ndonjë skuadre të vendit të tyre.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb