TIRANË- Kosova shënon sot 8 vjet nga shpallja e Pavarësisë. E me këtë rast nuk kanë munguar urimet e politikanëve dhe liderve shqiptarë. Ata përveç urimit të tyre kanë përcjellë edhe mesazhe të forta për qytetarët kosovarë dhe klasën politike në Kosovë.

NISHANI URON JAHJAGËN PËR 8-VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në të cilin përcjell përshëndetjet në emër edhe të popullit shqiptar. Nishani përshëndet përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën.

“E nderuar Zonja Presidente,
Kremtimi i 8-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell juve dhe nëpërmjet jush të gjithë shtetasve të Kosovës, urimet më të ngrohta e vëllazërore. Përfitoj nga rasti që në këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për shtetasit e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi e kontribuues për paqen në rajonin e Evropës Juglindore.
Ju siguroj se, Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha hapat e saj shtetndërtuese, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre tetë viteve pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e institucioneve dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon mesazhi i Nishanit.

RAMA URON KOSOVËN ME PORTRETIN E KOMANDANTIT LEGJENDAR, ADEM JASHARI
Kryeministri Edi Rama ka uruar sot popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, duke shprehur mirënjohje për heronjtë dhe luftëtarët e pavarësisë së Kosovës.

Shefi i qeverisë shqiptare e ka shoqëruar urimin tij me portretin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Mirënjohje përjetë heronjve dhe luftëtarëve të pavarësisë së Kosovës! Gëzuar!”- shkruan Rama në “Facebook”.
jashari

META LETËR VESELIT: KRENARË PËR ATË Ç’KA ËSHTË ARRITUR DERI MË SOT

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar sot përmes një letre Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, për 8- vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Meta shpreh urimet më të ngrohta, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, duke e cilësuar ditën e sotme si një ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët.

“Kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë vizionarët, heronjtë dhe gjithë ata që sakrifikuan në të kaluarën, sakrificë së cilës duhet t’u përgjigjemi me përulësi dhe përgjegjshmëri politike për të ardhmen” – nënvizon Meta në letrën e tij.

“Me rastin e 8-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë.

Sot është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë vizionarët, heronjtë dhe të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës në të kaluarën, sakrificë së cilës duhet t’u përgjigjemi me përulësi e përgjegjshmëri politike për të ardhmen.

Duke qenë krenarë për atë ç’ka është arritur deri më sot, dëshiroj t”ju siguroj, Koleg i nderuar, se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha përpjekjet e saj për forcimin e institucioneve demokratike, për avancimin e sigurt në rrugëtimin e saj euro-atlantik, si dhe për të ardhmen e përbashkët për të gjithë qytetarët tanë.

Duke Ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për paqe, zhvillim e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.”- thuhet në letrën e kryeparlamentarit Ilir Meta.

URIMI I BASHËS
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Kosovën me rastin e 8-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. “Gëzuar Pavarësinë e Kosovës!”, shkruan Basha, duke postuar edhe foton e një shqiponje, ku në njërin krah konturohet flamuri shqiptar dhe në tjetrin flamuri i Kosovës.
Shqiponja

MAJKO URON KOSOVARËT: KTHENI KOKËN NGA ERRËSIRA NGA E CILA ERDHËT PËR TË KUPTUAR TË TASHMEN
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë.
Majko uron të gjithë liderët kosovarë pa harruar edhe familjen Jashari dhe ata që ranë për Kosovën e pavarur. Mesazhi i deputetit socialist për kosovarët: të kthejnë kokën nga e kaluara për të kuptuar të tashmen.

“Gëzuar Kosovë ditën e Pavarësisë! Ditë e bukur për t’u kujtuar. Ditë e vështirë, sot, për t’u festuar. Ktheni kokën nga errësira nga e cila erdhët për të kuptuar më mirë të tashmen. Gëzuar nga zemra të gjithë Jasharëve, ata që janë mbi e nën tokën e Kosovës. Gëzuar Lladrovcëve dhe Haradinajve. Gëzuar Hashim. Gëzuar Albin. Gëzuar Ibrahim Rugova. Gëzuar Rexhep Qosja. Gëzuar Kryeministër. Gëzuar Presidente. Gëzuar Piro, nipi im prishtinas. Ju përshendes e ju përqafoj nga Tirana. Festoni, protestoni, kujtoni dhe ëndërroni, për më shumë… 17 shkurt 2016”, shkruan Majko.

PANARITI: PROVERBIALE THËNIA E KLINTON “NE E FITUAM LUFTËN, JU DUHET TË FITONI PAQEN”
Edhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka uruar Kosovën dhe qytetarët kosovarë për 8-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Gëzuar përvjetorin e pavarësisë Kosovë! Mbetet proverbiale thënia e Presidentit Klinton: Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen”, shprehet ministri Panariti.

BUMÇI: SHPRESOJ TË KTHEHET NORMALITETI INSTITUCIONAL
Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi ka uruar qytetarët e Kosovës për 8-vjetorin e Pavarësisë. “U uroj gjithë qytetarëve të Kosovës këtë ditë të madhe. Pavarësia për shumë kohë ishte ëndërr por për fatin tonë, SHBA-të dhe vende të perëndimit bënë një mbështetje për pavarësinë. Mbi 110 vende e njohin tashmë Kosovën. Kosova ka ndërtuar shtetin. Ajo që po ndodh që prej vitit të kaluar nuk është e mirë dhe është papërgjegjshmëri e klasës politike. Bën që SHBA-të të tërheqin vëmendjen dhe të merret me papërgjegjshmërinë e klasës politike në Kosovë. Shpresoj të kthehet normaliteti institucional”, shprehet Bumçi.

ARTA DADE: KOSOVA KA BËRË PROGRES TË DUKSHËM
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë. Ajo theksoi se shteti i Kosovës ka bërë progres të dukshëm, ndërsa komentoi edhe protestat e opozitës, duke nënvizuar se ato janë pjesë e luftës politike demokratike.
“Do dëshironim që zgjidhja të vinte nëpërmjet dialogut”- theksoi Dade.

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb