Nga: JETON SELIMI *
Përpara Vitit të Ri, administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, deklaroi se asnjë prej elementëve të shumëpërfolur në media nuk do të largohej nga ekipi. Pas Vitit të Ri, të gjithë jemi dëshmitarë të “çmontimit” të kuqezinjve, pasi veç elementëve të palakuar më parë (Krasniqi, Mici), dje u larguan nga klubi vlonjat dhe dy prej më të përfolurve (Gilman Lika dhe Muzaka). Të dy lojtarët janë larguar me marrëveshje nga Vlora, ndërsa janë të lirë të firmosin për klubet e tjera të Superiores e jo vetëm me Tiranën dhe Partizanin, që janë në “pole-position” për shërbimet e tyre.
Gilman Lika ka shkëputur zyrtarisht marrëdhëniet me Flamurtarin dhe tashmë është lojtar i lirë. Futbollisti shkodran mesditën e djeshme ka pasur një bisedë të gjatë me drejtuesit e klubit vlonjat, me të cilët ka rënë dakord për prishjen me marrëveshje të kontratës, duke i hapur rrugë nënshkrimit me një skuadër tjetër të superiores. Vetë 27-vjeçari konfirmoi “se ndarja me kuqezinjtë ndodhi me shtrëngim duarsh”, pra me konsensus të plotë. Palët nuk i kanë asnjë detyrim njëra-tjetrës, ndaj Lika del automatikisht lojtar i lirë pas një viti me fanellën e Flamurtarit. Cilësitë e Likës e shndërrojnë atë në futbollistin më të kërkuar në treg. Vetë lojtari sqaron se nuk ka asnjë zhvillim konkret për të ardhmen, pasi ngjarjet te Flamurtari rrodhën shumë shpejt. Por rrugën e Gilman Likës ka ndjekur edhe Gjergj Muzaka. Mesfushori i djathtë ka shkëputur gjithashtu marrëdhëniet me klubin vlonjat pas një bisede që pati me administratorin Idrizi. Muzaka është larguar nga Vlora pasditen e djeshme, ndërsa sot mund të firmosë për cilëndo skuadër.
Ofertat
Të dy lojtarët janë nga më të lakmuarit në kampionatin tonë, ndërsa janë disa skuadrat që kanë shprehur interes dhe në të shkuarën për ta. Megjithatë, ofertë zyrtare nuk ka ende, teksa klubet duan më parë të shqyrtojnë kërkesat ekonomike të lojtarëve, të cilat janë të larta. Në muajt e verës ka qenë Tirana që ka joshur Gilman Likën që të vishej bardheblu, por shkodrani preferoi të qëndronte në Vlorë. Lika ka luajtur dy sezone për 24 herë kampionët, ndërsa një rikthim i tiji në kryeqytet do të ishte i mirëpritur. Por veç Tiranës, edhe Partizani e ka joshur për një kohë të gjatë lojtarin, përpara se ky i fundit të firmoste në janarin e vitit të shkuar në Vlorë. Ndryshe është situata për Muzakën, që duket se është më afër Partizanit sesa Tiranës, ndonëse në verë nuk u arrit akordi mes palëve. Gjithsesi, në një prononcim të ditës së djeshme nga ana e trajnerit Duro, ai u shpreh se te Partizani nuk ka ndërmend që të bëjë mbipopullim të reparteve. “Partizani është ekip i kompletuar dhe zor se afrojmë lojtarë që sjellin mbipopullimin e reparteve. Pastaj, ka kohë dhe asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb