(ne foto Altin Piroli) KURBIN –Vritet në oborrin e shtëpisë së tij babai i 36-vjeçarit Altin Piroli, i njohur ndryshe si “Jezu Krishti” vrasës, për shkak të deklarimeve të tij se kishte vrarë ata që i kishin zënë rrugën e perëndisë. Altin Piroli vuan nga probleme mendore dhe një vit më parë terrorizoi qytetin e Laçit me dy pistoleta në duar, duke vrarë dy vëllezërit Andrea dhe Endri Cara. Pikërisht kjo ngjarje, për të cilën Piroli po vuan dënimin në burg, mendohet të ketë qenë shkaku i vrasjes së babait të tij, mëngjesin e sotëm në Zhejë të Kurbinit. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se 73-vjeçari David Piroli është qëlluar me armë zjarri në oborrin e shtëpisë nga persona ende të paidentifikuar. I moshuari është nisur menjëherë drejt spitalit, por nuk ka mundur të mbijetojë.
ALTIN PIROLI, TERROR NE LAC NJE VIT ME PARE
36-vjeçiari Altin Piroli, i cili njihet si person me probleme mendore, terrorizoi qytetin e Laçit rreth një vit më parë, kur me dy pistoleta në duar qëlloi për vdekje dy vëllezërit Cara dhe plagosi dy kalimtarë të rastit. I pyetur rreth ngjarjes së rëndë, si para policisë gjyqësore ashtu edhe para prokurorit, Piroli ka dhënë deklarime që të linin përshtypjen e një të sëmuri mendor. “Unë jam Jezu Krishti. I vrava se më zunë rrugën e Perëndisë” – tha ai. I riu që udhëtoi për 5 kilometra i armatosur me dy pistoleta, nga fshati i tij në qendër të Kurbinit, ka hutuar policinë me dëshminë e tij. Ai është marrë në pyetje në disa seanca radhazi, duke dhënë çdo herë deklarime të ndryshme. Pasi pretendoi se ishte Zoti që e kishte shtyrë drejt vrasjes së vëllezërve Cara, ai ka thënë se i kishte inat dy bashkëfshatarët e tij. “Nuk i shihja dot me sy. Ata kishin lekë, ndërsa unë jo”, ka vazhduar të thotë më tej Altin Piroli, ndërsa ka shtuar se shpesh vëllezërit e kanë vënë në lojë atë.
Pas arrestimit të Pirolit, policia zbuloi në banesën e tij një listë me 15 persona, që dyshohet se kishte planifikuar t’i vriste, mes tyre prokurorë dhe gjyqtarë të rrethit të Kurbinit.
Altin Piroli njihej si person me precedentë të mëparshëm penalë, pasi 10 vjet më parë ka plagosur kushëririn e tij 7­vjeçar. Ai u dënua nga Gjykata e Kurbinit me 7 vjet burg, por kreu vetëm një pjesë të dënimit, falë dëshmisë së tij. Mësohet se Piroli deklaroi në atë kohë se e kishte qëlluar kushëririn e tij, pasi e motra kishte tentuar ta helmonte. Për shkak të këtyre deklarimeve, ai u nxor nga burgu si person me probleme mendore, duke marrë mjekim ambulant në shtëpi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: