NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Një komision i ngritur nga Ministria e Kulturës ka dëgjuar dje gjashtë kandidatët për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, post i mbetur bosh pas dorëheqjes së Ilir Kernit. Përreth tri orë, ata kanë shpalosur platformën e tyre dhe u janë përgjigjur pyetjeve të ekspertëve të ministrisë, pyetje që shkuan deri te njohja e ligjeve me të cilat rregullohen marrëdhëniet e punës në këtë institucion, gjetja e fondeve, edukimi përmes kulturës, afrimi i të rinjve, rritja e publikut, e jo vetëm. Zana Çela, Kleanthi Gjika, Ylber Gjini, Josif Gjipali, Agim Hushi dhe Gëzim Xhaxhaj kanë parashtruar idetë e tyre për operën e së ardhmes duke u nisur nga opera e sotme, ose si e mbajnë mend ata që kanë punuar aty.

Komisioni që shqyrton platformat është i përbërë nga Elira Kokona (Sekretare e përgjithshme e MK dhe drejtore e komanduar e Operës), Jusuf Beshiri(artist), Herida Duro(drejtore e Artit në MK), Hervin Çuli(Drejtor i Teatrit Kombëtar) dhe Ornela Cikuli (Drejtore e Burimeve Njerëzore në MK). Në fund të secilit prezantim, kryetarja e komisionit, Kokona, njoftoi se para ditës së premte, kandidatët do të njoftohen se kush kalon në fazën e dytë. Praktikisht, deri të premten dosjet dhe platformat e tyre do të shqyrtohen, për t’i dërguar kryeministrit prej këtyre të gjashtëve dy emra, mes të cilëve ai do zgjedhë drejtuesin e ri të TKOBAP. Çfarë thanë gjashtë kandidatët para komisionit: nga mosnevoja për para, te premtimet për një teatër europian, nga akuzat për teatër stalinist, te heqja dorë e politizimit e ‘teatri’ për masat në rrethe dhe rritja e cilësisë.

PLATFORMAT
ZANA ÇELA: Teatër kozmopolit, ekselencë dhe donatorë

Që në fill të platformës kam nënvizuar faktin që për hartimin e saj kam bërë analizën e TKOB sot, problemet, specifikat e tij. Këto më kanë shërbyer si guidë. Risqet më të mëdha të teatrove janë: rënia e interesit të shoqërisë, mungesa e subvencioneve që kërkojnë menaxhim. Si të dalim nga kjo gjendje për të siguruar të ardhmen: të rrisim audiencat që të kapin të gjitha kategoritë, sidomos të rinjtë, pra një teatër kozmopolit, duke u mbështetur në traditën e TKOBAP e në bashkëpunim me rrjetin europian të operës që siguron rritjen e nivelit. Angazhimi kryesor është ta kthejmë TKOB në një institucion të ekselencës, edukimit dhe inovacionit. Kam caktuar 6 fusha: ekselencë në program dhe zbatimin e kalendarëve artistikë, edukimin e publikut, thithjen e publikut, marketing dhe promocion. Menaxhim më i mirë i burimeve financiare që ka teatri, duke identifikuar burime të reja, donatorë, sponsorë; ripozicionim të vendeve të punës sipas aftësive dhe repertor më i gjerë: me të gjitha epokat, nga barokja te tendencat e reja.

Kanë munguar prodhimet për të rinj dhe fëmijë, duhet të ketë opera, balete, muzikale e koncerte. Muzikali ka shumë audiencë, sidomos në periudhën e rikonstruksionit. Baleti gjatë këtyre dy viteve ka bërë arritje, baleti kontemporan, do e vazhdojmë, duke respektuar edhe veprat klasike, si dhe prodhimet tona ekskluzive. Trupa të rrisë nivelin dhe të bëhet ndërkombëtare. Ndërsa koncertet për këtë periudhë të bëhen me formacion e orkestër më të vogël, të afta për t’u zhvendosur. Duhet krijuar departamenti i Edukimit, me projekte trajnimi për audiencat dhe shkollat. Platformë alternative për një teatër në tranzit: shumë njerëz më thanë se pse po kandidoj tani që teatri do jetë në rikonstruksion. Unë jam optimiste. Tani do të shkojmë aty ku është audienca, madje jam optimiste se audienca do të zgjerohet. Duhet ta orientojmë publikun tek Opera, që ata të mos e shohin si një thesar që është larg.

KLEANTHI GJIKA: Plan buxheti me biznesin, niveli sot i dobët
Zgjerimi i audiencës, vënia e shfaqjeve të përzgjedhura, afrimi i të rinjve, shfaqje me artistë të huaj e shqiptarë, artistë karriere e të rinj, lidhje të forta me biznesin janë ato që dua të bëj në Opera. Që të afrohet biznesi, duhet të bëjmë performanca në promovime. Për reformën menaxheriale duhet të ketë kritere të fuqishme dhe shpërblim në bazë të aftësive. Do të bëj një plan të qartë buxhetor me ndihmën e biznesit dhe donatorëve. Kam punuar në teatër në vitet 1986-1991. Niveli artistik ka qenë shumë më i lartë. Bëheshin gjithë kohës prova. Tani nuk bëhen më, dhe kjo kuptohet edhe nga koncertet që japin, plus që pas orës 1 në teatër nuk gjen njeri. Ka mungesë pune e organizimi. Edhe këngëtarët rrëshqasin ndërkohë që interpretojnë. Nuk do të ketë përplasje mes meje dhe drejtorit artistik. E njoh punën si funksionon. Unë dua të vë në skenë shfaqje me nivel.

YLBER GJINI: Teatër në rrethe e vend për tre breza artistësh
Dua të rikonstruktohet mënyra si funksionon teatri. Për baletin duhet një koreograf i mirë, sepse është lënë pas dore baleti klasik. Ansambli do drejtues dhe kompozitor që të funksionojë, që të krijohen edhe këngë të reja, pasi kemi ngelur te ‘për mua paska qenë kismet’ prej 50 vitesh. Duhet rinovuar kori dhe duhet të ketë kolegjialitet, pasi drejtimi nuk bëhet me mendime personale. Duhet një bord profesionistësh që ta vendosë kalendarin, pasi tani ne presim sa të vijnë anëtarët e bordit nga janë. Dua që ky bord i brendshëm të jetë vendimmarrës, jo këshillimor. Projektet i propozon drejtori artistik, por unë do të bashkëpunoj me drejtorin artistik. Meqë ka përplasje me ligjin e artit, çështja e bordit, do ta vë në rregullore. Tani që teatri do të jetë në rikonstruksion, unë do të çoj koncerte e pjesë të vogla nëpër qytete, që të edukojmë spektatorin, e kjo bëhet edhe me reduktim të orkestrës ose korit për shembull. Sa i takon sistemit të kontratave, unë kam kundërshtuar kontratat 3-mujore; nga ana tjetër jam dakord me kontratat si rregulluese të marrëdhënieve të punëdhënësit me punëmarrësin. Ndërsa artistët e vjetër, nuk po them të nxirren në rrugë, por kontratat duhet të funksionojnë. Duhet menduar diçka që Opera të ketë vend për tre breza. Dua të marr modelin e një vendi që ka një teatër opere, një model të suksesshëm dhe ta sjell këtu. Për afrimin e të rinjve me Operën, ne duhet të bëjmë një opera-studio.

JOSIF GJIPALI: Sponsorizim nga biznesi, reforma e cunguar
Strategjia ime është si e askujt tjetër, dhe do ta përdor platformën si askush tjetër. Unë njoh repertorin. Do të bëj diferencën sipas vështirësive të rolit, sepse tenori i ‘Traviatës’ nuk mund të paguhet si Violeta. Meqë pagat janë të përcaktuara sipas kategorive, nëse një artist nuk këndon role primare, nëse nuk ia del në audicione, nuk ka pse paguhet sa të tjerët. Do arrij të krijoj një fond për diferencim pagash. Do kërkoj sponsorizim tek emra të mëdhenj të biznesit. Sa i takon ndarjes tek unë mes artistit, menaxherit, drejtorit artistik dhe tenorit, unë jam një artist që për 13 vite kam menaxhuar mirë veten- jam menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Mjafton të sjell të ardhurat e mia, sa janë dhe nga vijnë, për të kuptuar se si jam menaxhuar. Për mua, reforma që është bërë në TKOB ka qenë e cunguar, mjafton t’ju them se është marrë një model gjerman që nuk është përkthyer, as përshtatur si duhet. Jam në gjendje që me kontratat që unë vetë kam firmosur për 13 vite, të përpiloj një kontratë të përshtatshme për rastin shqiptar. Sa u takon kontratave të përhershme, unë nuk mund të pushoj njerëz që janë në prag të daljes në pension, nuk mund të ketë as solist në TKOB që është 65 vjeç, nuk dua të krijoj probleme sociale, por do t’i sistemoj ata që nuk janë më në gjendje. Kam bërë shumë armiq gjatë jetës, madje edhe ata që s’duheshin, sepse nuk bëj kompromise, nuk i kam dhënë role as gruas sime. Për platformën alternative ndërkohë që teatri është në rikonstruksion, meqë opera nuk është art masash, dërgohen në rrethe pjesë që tërheqin disa. Unë njoh drejtorët artistikë të disa teatrove në Itali e Europë që mund të më ndihmojnë me alestimet që duan t’i heqin prej teatrove të tyre, dhe njoh po ashtu shumë kolegë që mund të vijnë të këndojnë këtu edhe nga kurioziteti që kanë për këtë vend. Kam menduar për një opera-studio për të rinjtë dhe për “Miqtë e operës”, që mund të funksionojë si një organizëm për mbledhje fondesh e sponsorizimesh.

AGIM HUSHI: Teatri si i botës, fondet nuk i kam problem
Unë jam artist që shqetësohet për fatin e Operës, dua që të jetë një teatër që matet me botën, dhe për të bërë këtë duhet më shumë dashuri. Teatri duhet larguar nga ndikimi i politikës në të. Unë kam eksperiencë ndërkombëtare në menaxhim, dhe për mua fondet nuk janë problem. Dua të sjell në Tiranë modelin vjenez të Operës. Audicionet në Opera janë bërë si lobe. Për mua kontratat duhet të jenë kontrata rolesh, kori dhe orkestra të jenë fikse, por dua edhe të aktivizoj korin në Opera, se ka zëra shumë të mirë. Do kem një skemë sponsorizimesh, Opera të jetë 12 muaj në punë, te një strukturë si “Miqtë e operës” që të sponsorizojnë pjesët, të kem një revistë mujore, cilësi në repertor dhe një muze për TKOBAP. Duhet të ketë edhe ‘matine’, shfaqje gjysmëprofesionale për të afruar të rinjtë në opera. Ndërkohë kam shumë miq diplomatë me të cilët do të bashkëpunoj për të sjellë risi në Opera, si dhe më shumë bashkëpunim me licetë dhe Universitetin e Arteve. Sa u takon fondeve, unë nuk kam probleme. Kam qenë shumë i varfër dhe kam shumë pasuri, që e kam vënë falë punës. Kjo do të thotë se di të menaxhoj shumë mirë, edhe pak, edhe shumë fonde.

GËZIM XHAXHAJ: Teatri është stalinist, artistët që nuk bëjnë, ikin
Unë nuk kam qenë drejtor, kam qenë bas-bariton, por drejtori është ai që vendos i fundit pasi i ka dëgjuar të gjithë. Megjithatë, unë nuk di që ka shkollë për drejtor. Sa u takon Ligjit të Artit dhe financave, unë nuk do jem vetëm, kam staf e ministri nga pas. Me këto nuk merrem unë. Për mua audicionet qëndrojnë. Një njeri nuk mund të punojë në Opera që kur mbaron shkollën e derisa del në pension. Unë nuk merrem me ata që janë në moshë pensioni, sepse ky është problem i qeverisë, dhe jo i imi si opera. Unë zgjedh artistët e mirë. Valltarët që janë të shëndoshë të shkojnë të dobësohen dhe të vijnë në punë, se unë nuk jam Papa. Unë jam Mentor Xhemali i Shqipërisë; në institucione keni vënë të paaftë. Teatri i Operës nuk ka pasur frymëmarrje, ka ngelur si teatër stalinist.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb