Gjendja e Popullsisë së Botës 2017
Pabarazitë, dështimi për të mbrojtur të drejtat e grave më të varfra mund të minojë arritjen e objektivave për zhvillim, paralajmëron raporti i UNFPA
• Shqipëria rezultat jo i kënaqshëm në rajon në lidhje me diskriminimin gjinor.
• Shqipëria në vend të 95-të (nga 142 vendet e përfshira në GINI index, viti 2016) për përqindjen e grave në pozicione drejtuese.
• Ende problem serioz martesat në adoleshencë. Një në 10 vajza martohet nën 18-vjeç.
• Shqipëria renditet në nivel mesatar në lidhje me diferencimin në paga sipas gjinisë.
KOMBET E BASHKUARA, Tiranë, 17 tetor 2017—Nëse nuk adresohen urgjentisht pabarazitë dhe nëse nuk i fuqizojmë gratë më të varfra që t’i marrin vetë vendimet në lidhje me jetën e tyre, nuk do të arrijmë Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs), nënvizon raporti i UNFPA Gjendja e Popullsisë së Botës 2017, publikuar sot nga UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë.
Kostot e pabarazive, përfshirë ato në shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, rëndojnë mbi të gjithë komunitetin, shton raporti i UNFPA i titulluar “Botë të Ndara: Shëndeti dhe të Drejtat Riprodhuese në një Epokë Pabarazish.”
Nëse nuk i ofrohen shërbime të shëndetit riprodhues, përfshirë planifikim familjar, grave më të varfra, ekonomia do dobësohet dhe do të sabotohet arritja e objektivit të parë të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG1), zhdukja e varfërisë.
Pabarazia ekonomike përforcon dhe përforcohet nga pabarazitë e tjera, përfshirë ato në shëndetin e grave, ku vetëm njerezit e privilegjuar mund të kontrollojnë fertilitetin e tyre dhe, si rezultat, mund të zhvillojnë aftësi, të hyjnë në tregun e punës dhe të krijojnë mirëqenie.
“Pabarazia sot nuk ka të bëjë vetëm me kush ka dhe kush nuk ka,” citon Dr. Manuela Bello, Përfaqësuese e UNFPA në Shqipëri pjesë nga deklarata e Drejtores Ekzekutive të UNFPA, Dr. Natalia Kanem. “Pabarazia gjithnjë e më shumë ka lidhje me kush mundet dhe kush nuk mundet. Gratë e varfra që nuk kanë mundësi t’i marrin vendimet vetë për familjen e tyre, apo që nuk kanë shëndet të mirë për shkak të aksesit të ulët në shërbime të shëndetit riprodhues, dominojnë radhët e atyre që nuk munden.”
Mungesa e aksesit apo pamundësia për të marrë shërbime sociale i pengon gratë të arsimohen më tej dhe të hyjnë apo të qëndrojnë në tregun e punës.
“Shtetet që duan të luftojnë pabarazitë ekonomike mund të fillojnë duke luftuar pabarazitë e tjera, si ato në shëndetin dhe të drejtat riprodhuese, duke rrëzuar barriera sociale apo institucionale, që i pengojnë gratë të realizojnë potencialin e tyre të plotë,” vazhdon Dr. Bello.
Raporti i UNFPA rekomandon të fokusohemi së pari tek ata që kanë mbetur prapa, siç parashikojnë edhe SDGtë për zhvillim të qëndrueshëm, për shoqëri gjithëpërfshirëse deri në vitin 2030: “Reduktimi i të gjitha pabarazive duhet të jetë qëllimi. Disa nga kontributet më të fuqishme mund të vijnë nga realizimi i të drejtave riprodhuese të grave.”
UNFPA është agjensia lider e OKB për të krijuar një botë ku çdo shtatzëni është e dëshiruar, lindja e çdo fëmije është e sigurt dhe potenciali i çdo të riu është i përmbushur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb